Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, është marrë në pyetje dje, për rreth katër orë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në cilësinë e të dyshuarit për një aferë që lidhet me fabrikën për përpunimin e mbetjeve shtazore. Pas intervistimit, ai është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa deri tani nuk ka dhënë ndonjë deklaratë publike për rastin.
Përveç Pecit, Prokuroria ka intervistuar edhe Kryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, i cili po ashtu është marrë në pyetje si i dyshuar dhe është liruar në procedurë të rregullt. Avokati i tij, Artan Qerkini, tha se Hoxha ka dhënë një deklaratë dhe mohoi që klienti i tij të ketë kryer ndonjë vepër penale.
Intervistimet u zhvilluan pas bastisjeve të urdhëruara nga Prokuroria Speciale në katër lokacione: Ministrinë e Bujqësisë, Agjencinë për Zhvillim Bujqësor, Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe në lokacionin e kompanisë që përfitoi kontratën për fabrikën e përpunimit të mbetjeve shtazore.
Prokurori i rastit, Admir Shala, ka konfirmuar se hetimet kanë të bëjnë me dhënien në shfrytëzim me qira të kësaj fabrike.
Nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të hapur për bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe se do të ofrojnë çdo informatë të kërkuar, duke theksuar përkushtimin ndaj sundimit të ligjit, transparencës dhe llogaridhënies.
Ndërkohë, mbrojtje të fuqishme për ministrin Peci kanë dhënë drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe partisë në pushtet. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka quajtur Pecin si ministrin më të suksesshëm të qeverisjes aktuale dhe ka lavdëruar punën e tij në sektorin e bujqësisë.
Edhe Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se beson në pafajësinë e Pecit dhe ka sugjeruar se pas këtij hetimi qëndron një plan për ta dëmtuar ministrin dhe Qeverinë Kurti.
Në të njëjtën linjë, bashkëpartiakja e Pecit, Donika Gërvalla, ka akuzuar Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, për një “inskenim të shëmtuar” kundër Pecit, duke e cilësuar si hakmarrje ndaj angazhimit të tij kundër korrupsionit dhe përpjekjeve për sundim të ligjit.
Ministri Peci është akuzuar një ditë më parë se ka bërë shkelje të Ligjit për pronë publike, pasi që, pa ankand publik, ia ka dhënë pronën publike me qira për 20 vjet një kompanie për fabrikë të mbetjeve shtazore.
Sipas kontratës, kompania fituese do të subvencionohet për çdo kilogram të mbetjeve shtazore që ajo i trajton.
Në një reagim të vonshëm të martën, partia Guxo ka thënë se Prokuroria Speciale po bëhet pjesë e lojërave politike, ndërsa akuza hodhën për prokurorin që po merret me rastin, dukë thënë se ka qenë pjesë e PDK-së në rinj.
Reagimi i plotë:
Partia Guxo shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me veprimet e fundit të Prokurorisë Speciale, e cila dukshëm po jep shenja se është bërë pjesë e lojërave politike duke vënë në shënjestër Ministrin më të suksesshëm të Qeverisë Kurti 2, z. Faton Peci.
E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt “rastësisht” prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren.
Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës.
Po ashtu, z. Peci ka qenë zëri dhe veprimi i lirimit të pronave publike të uzurpuara padrejtësisht, duke vepruar pa kompromis ndaj çdo forme të uzurpimit, pa dallime politike apo lidhje të tjera të ndikimit.
Nën udhëheqjen e tij, Ministria e Bujqësisë ka përjetuar një ringjallje të vërtetë. Grantet dhe donacionet janë shpërndarë mbi bazën e meritës, duke u orientuar drejt fermerëve dhe bujqve që realisht kontribuojnë në zhvillimin rural dhe ushqimor të vendit.
Partia Guxo qëndron fuqishëm përkrah Ministrit Peci dhe dënon çdo përpjekje për njollosjen e figurave të ndershme që punojnë për interesin publik. Këto sulme politike nuk do ta ndalin betejën tonë për një shtet të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët.