Sipas një hetimi të ri, autoritetet ruse kanë përfshirë sistematikisht fëmijët në projektimin dhe testimin e dronëve për luftën e vendit në Ukrainë, përmes garave mbarëkombëtare që nisin me video-lojëra të pafajshme dhe përfundojnë me rekrutimin e nxënësve më të talentuar nga kompani të industrisë së mbrojtjes.
The Guardian raporton se zbulimet janë pjesë e një investigimi nga media në mërgim “The Insider” dhe tregojnë sesi udhëheqësit rusë po e tërheqin gjithnjë e më shumë rininë drejt përfshirjes aktive në përpjekjet ushtarake në Ukrainë, ku arsimi “patriotik” dhe i militarizuar në vend shpesh kthehet në përfshirje të drejtpërdrejtë në projektet e luftës.
“Fëmijët janë aktivisht të përfshirë në modelimin e pjesëve për sisteme të ndryshme dronësh,” ka thënë për një gazetar një nga adoleshentët e përfshirë.
“Unë njoh disa persona që kanë modeluar pjesë për UAV [aeroplanë pa pilot] për ndërmarrje të mëdha,” ka shtuar ai.
Kujtojmë se presidenti rus Vladimir Putin ka bërë thirrje për rritje të prodhimit të dronëve, të cilët janë shndërruar në pjesë kyçe të luftës si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën. E ndërsa të dyja palët po zhvillojnë teknologji të reja, zbulimi i fundit tregon se Rusia po kërkon më të zgjuarit mes të rinjve të saj për ta përfshirë në këtë përpjekje.
Bëhet e ditur se rruga drejt rekrutimit nis me një video-lojë të quajtur Berloga, e nisur në vitin 2022, ku “ari të zgjuar” mbrohen nga tufa bletësh, ndonjëherë duke përdorur dronë për t’i larguar ato. Suksesi në këtë lojë, e cila luhet nga qindra mijëra të rinj rusë, mund të sjellë pikë shtesë në provimet përfundimtare të shkollës së mesme.
Pastaj, thuhet se lojtarët më të suksesshëm kalojnë në gara më të avancuara, si ajo e quajtur Big Challenges (“Sfidat e Mëdha”), e cila synon të zbulojë nxënës të shkollave që më pas rekrutohen nga kompani ruse – shumë prej të cilave janë nën sanksione ndërkombëtare për përfshirjen e tyre në industrinë ushtarake.
Raportohet se “The Insider” ka intervistuar tre finalistë adoleshentë të kësaj gare që punonin në teknologji për dronët. Ata kanë shpjeguar se si funksionon sistemi duke zbuluar se ishin plotësisht të vetëdijshëm për aplikimin ushtarak të disa projekteve, por ishin të inkurajuar ta mbanin këtë të fshehtë.