Heshtja që ka çmim: Rusia, Kina dhe pazarët strategjikë pas Lindjes së Mesme - Gazeta Express
string(74) "heshtja-qe-ka-cmim-rusia-kina-dhe-pazaret-strategjike-pas-lindjes-se-mesme"

OP/ED

Gazeta Express

23/06/2025 14:08

Heshtja që ka çmim: Rusia, Kina dhe pazarët strategjikë pas Lindjes së Mesme

OP/ED

Gazeta Express

23/06/2025 14:08

Shkruan Enver Hasani

I tillë ka qenë edhe projekti i fshehtë për ndarjen (copëtimin) e Kosovës, i promovuar në mënyrë të tërthortë nga kryeministri Edi Rama – konceptualisht i ngjashëm me klauzolën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila i njeh Serbisë të drejtën për të kontestuar shtetësinë e Kosovës. Dallimi thelbësor mes tyre është se, në rastin e parë, kontestimi ishte i përqendruar në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës, ndërsa në të dytin, ai shtrihet gjerësisht dhe prek tërësisht subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Mirë se vini në të ardhmen e Kosovës, ku territori – apo vetë shtetësia – bëhen objekt diskutimi strategjik, ashtu siç është lejuar dhe pranuar nga vetë udhëheqësit politikë të saj në etapa të ndryshme të dialogut me Serbinë.

Skicë për një zhvendosje gjeopolitike

Vetëm një budalla mund të besojë se Rusia apo Kina do të qëndrojnë neutrale në krizën e Lindjes së Mesme, pa kërkuar shpërblim diku tjetër në raport me Shtetet e Bashkuara. Heshtja e tyre nuk është shenjë neutraliteti strategjik, por pjesë e një pazarllëku global të heshtur, ku ngjarjet në Gaza, Siri apo Liban shërbejnë si monedhë këmbimi për interesa më të mëdha – si për shembull në Ukrainë apo Tajvan, por edhe në Ballkan.

Kalkulimi i heshtur i këtyre fuqive nuk është as i ri, as i papritur. Është pjesë e asaj që realpolitika e quan “balancim asimetrik”: mbështetja indirekte në një konflikt, në këmbim të avantazheve në një tjetër zonë gjeopolitike ku interesi i tyre është më jetik. Në këtë kuptim, heshtja e Moskës apo Pekinit përballë tragjedive njerëzore në Lindjen e Mesme është politikisht shumë e kuptueshme.  Në thelb, kjo nuk është thjesht një mendim i kthjellët realist, por një parim themelor i sjelljes së fuqive të mëdha. Çdo heshtje, çdo mospërfshirje në një konflikt global të përmasave si ai i lidhur me Iranin, është një monedhë që shkëmbehet për diçka tjetër.

Ajo që po shohim me Iranin përfaqëson vetëm majën e ajsbergut të një zhvendosjeje radikale gjeopolitike në Lindjen e Mesme – e përsëris: zhvendosje radikale, por vetëm në Lindjen e Mesme dhe jo më shumë se kaq. Kjo nënkupton dy gjëra. Së pari, konfiguracioni aktual ndërkombëtar, që mund ta quajmë kuazi multipolar, mbetet në thelb i paprekur. Secila nga tri fuqitë e mëdha – për aq sa ka kapacitete reale – ruan ndikimin në sferën e vet të interesit: Rusia në atë që e quan “fqinjësi e afërt”, Kina në vendet e përfshira në nismën “Brez dhe Rrugë”, SHBA-të në Lindjen e Mesme, ku mbeten më të konsoliduara se në çdo periudhë të mëparshme.

Izraeli, në këtë kontekst, vazhdon të jetë hegjemon i vetëm në atë pjesë të botës, pa ndonjë rrezik ekzistencial të drejtpërdrejtë. Historia na ka treguar se shtetet, pasi sigurojnë ekzistencën e tyre fizike, shpesh fillojnë zgjerimin territorial në përputhje me kapacitetet e tyre. Raste të tilla janë të shumta në histori. Për shembull, nga qyteti-shteti i njohur si Akkadi (vendndodhja e të cilit mbetet ende e diskutueshme) u krijua Perandoria Akadiane rreth vitit 2334 p.e.s. Më vonë, nga Athina lindi Perandoria Athinase, ndërsa nga Roma u formua Perandoria Romake. Bizanti, fillimisht një qytet dhe më pas kryeqytet i perandorisë, dha emrin përkatës Perandorisë Bizantine. Po ashtu, perandori të fuqishme kanë lindur edhe nga qytete si Kordoba në kohën e Kalifatit të Andaluzisë apo nga Konstantinopoja, e cila më vonë u bë qendra e Perandorisë Osmane. Anglia, fillimisht një nga shtatë mbretëritë mesjetare, u bë një fuqi perandorake në mënyrë graduale nga shekulli XVI, duke arritur kulmin e fuqisë në shekujt XIX dhe XX.

Thënë shkurt: dinamikat gjeopolitike në Lindjen e Mesme do të zhvillohen brenda universi evro-atlantik të ndikimit, dhe kjo në dëm të aleatëve të përbashkët të fuqive të tjera. Ndikimi i Izraelit do të jetë i pakontrolluar dhe me një tendencë të natyrshme ekspansive, por i kufizuar brenda rajonit të Lindjes së Mesme, për shkak të kufizimeve objektive biologjike dhe demografike që ka vetë Izraeli (popullsi e vogël).

Kjo zhvendosje tektonike gjeopolitike, megjithatë, nuk mbetet pa ndikim përtej Lindjes së Mesme. Pas një kohe, pritet një përmirësim i dukshëm i marrëdhënieve ndërmjet vendeve myslimane dhe Izraelit, për arsyen e thjeshtë se shtetet myslimane detyrohen ta njohin ekzistencën e Izraelit si një shtet me të drejta të barabarta, ashtu si çdo shtet tjetër në botë. Ky përmirësim i marrëdhënieve midis Izraelit dhe vendeve myslimane reflektohet pozitivisht edhe në Ballkan, pasi përdorimi politik i fesë islame ka humbur qartësinë dhe funksionin e vet instrumental: asnjë vend mysliman më nuk e kultivon projektin imperial të fesë siç e kemi parë dikur në Iranin apo në Arabinë Saudite.

Heshtja si kapital politik

Në kushtet aktuale, heshtja e Rusisë dhe Kinës përballë një konflikti ndërmjet SHBA-së dhe Iranit nuk përbën pasivitet, por është një manovër aktive dhe e qëllimshme. E vërteta është se prej kohësh ekziston një konsensus i heshtur ndërmjet fuqive të mëdha sa i përket programit bërthamor të Iranit: ky vend është shënjuar si vijë e kuqe, për shkak të natyrës teokratike të regjimit, i cili shihet si destabilizues për ekuilibrat rajonalë dhe globalë.

Çdo përpjekje për armatim bërthamor të Iranit do të përbënte një zhvendosje radikale të rendit global të sigurisë, me pasoja përtej Lindjes së Mesme. Kjo nuk ka të bëjë thjesht me fenë, por me mënyrën si strukturohet pushteti në Iran dhe ambicien e tij për të projektuar ndikim përtej kufijve të vet. Fuqitë e mëdha nuk mund ta lejojnë një shtet si Irani të zotërojë armë bërthamore në mënyrë të pavarur, pasi kjo do të sfidonte monopolin strategjik të garancive të sigurisë që këto fuqi ushtrojnë në sistemin ndërkombëtar. Rasti i Koresë së Veriut dhe Pakistanit e ilustron këtë qartë: të dy shtetet kanë armatim bërthamor, por mbijetojnë brenda orbitës së një fuqie të madhe – Kina për Korenë e Veriut dhe SHBA për Pakistanin. Siç e ka argumentuar Henry Kissinger, “stabiliteti strategjik nuk vjen nga armatimi vetanak, por nga përfshirja në një rend që e garanton ekuilibrin” (“World Order”, 2014).

Mosangazhimi diplomatik i fuqive të mëdha në favor të Iranit në publik është në fakt një pozicionim strategjik që shërben për negociata lidhur me çështje kyçe si: konflikti në Ukrainë dhe ndarja de facto e territorit; statusi i Tajvanit në periudhën afatshkurtër; si dhe çështjet e hapësirave ballkanike dhe marrëveshjet me Bashkimin Evropian (në sferën ekonomike). Ky taktizim reflekton natyrën e sofistikuar të politikës së madhe, ku heshtja dhe ambiguiteti janë mjete të fuqishme për të fituar avantazhe në tryezat e negociatave ndërkombëtare.

Rusia kërkon të paguajë çmimin në Ukrainë, duke përfituar rritje të sigurisë së saj kundrejt Evropës dhe Perëndimit, ndërsa Kina kërkon koncesione në Azi-Paqësor dhe marrëveshje ekonomike me SHBA dhe Perëndimin. Kjo e fundit, në veçanti, synon të fitojë kontroll më efektiv mbi korridoret e tregtisë së lirë në Indo-Paqësor, veçanërisht në Detin e Kinës Jugore dhe ujërat përbri pjesës jug-lindore kineze, zona që konsiderohen si thelbësore për politikën kineze “Brez dhe Rrugë”.

Rusia dhe roli i saj neutral në këtë çështje lidhet ngushtë me fobinë ndaj zgjerimit të NATO-s, një fobi që rrënjoset thellë në politikat imperiale ruse të fillimit të shekullit të 19-të. Rusët e kanë ndërtuar identitetin e tyre në raport me Evropën dhe besojnë se mungesa e një bariere natyrore në perëndim i bën ata të cenueshëm në aspektet e sigurisë kundrejt Evropës. Edhe pse kjo mund të duket si një justifikim i shtirë, në realitet rusët e perceptojnë zgjerimin e NATO-s me terma strategjikë që përkasin gjysmës së shekullit të 19-të. Në këtë kuadër, ata synojnë krijimin e zonave bufer, siç kanë vepruar me Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën. Synimi strategjik afatgjatë i Rusisë mbetet ndërtimi i regjimeve kukulla, ose të paktën të pa rrezikshme për Rusinë, në vendet përreth: Bjellorusi, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Përtej kësaj, Rusia nuk ka fuqinë për të bërë shumë më tepër. Ajo, megjithatë, mbetet një fuqi globale në çështjet e sigurisë, kryesisht për shkak të posedimit të armëve bërthamore.

Kuadri i heshtjes gjeostrategjike ruse dhe kineze   

Në këtë kontekst, Kosova paraqitet si një aset lehtësisht i sakrifikueshëm për fuqitë e mëdha, sidomos në rast se shkëmbimi shërben për një stabilizim të përkohshëm në Lindjen e Mesme ose për avancimin e ndonjë marrëveshjeje strategjike me Rusinë apo Kinën. Ky fakt, apo ky dimension, nuk është marrë seriozisht apo parasysh asnjëherë nga aktorët kryesorë të politikës në Kosovë. Siç dihet, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, lidershipi i Kosovës është përqendruar në sulme ndaj Serbisë, duke e portretizuar atë si mbështetëse të Rusisë në agresionin kundër Ukrainës – një portretizim që nuk korrespondon me realitetin. Në vend që të analizohet në mënyrë qetë dhe strategjike sjellja e Serbisë, paraqitja e saj si aleate e Rusisë nuk ka përputhur me gjendjen në terren, as atëherë dhe as sot. Kjo qasje e Kosovës ka krijuar një realitet fiktiv në kokat e lidershipit kosovar, ku aleanca e Serbisë me Perëndimin është parë si një marrëdhënie përjashtuese dhe kundër Kosovës.

Shprehja “bënin turr në lidhje me Ukrainën,” siç e theksova, nuk është një metaforë emocionale, por një paralajmërim racional: kushdo që identifikohet totalisht me një kauzë të madhe ndërkombëtare pa kapital real, rrezikon të bartë koston pa përfitimet. Kjo është ajo që ka bërë Kosova. Sot shihet qartë se lufta në Ukrainë ka marrë një status tjetër ndërkombëtar. Përkundër faktit që Ukraina mbetet çështje e rëndësishme të sigurisë evropiane, pesha dhe ndikimi amerikan në zgjidhjen e këtij konflikti në të ardhmen nuk ka pësuar ndryshime substanciale. Palët në luftë – rusët dhe ukrainasit – janë të kufizuar në përdorimin e mjeteve, dhe matja e forcave zhvillohet në terrenin konvencional. Amerika mund të marrë anë – aktualisht, edhe nën administratën Trump, në favor të Ukrainës dhe Evropës – vetëm në rast se Rusia kërcënon përdorimin e armëve bërthamore. Kjo është vija fundit e marrëveshjes  në mes të Rusisë dhe SHBA lidhur me luftën pushtetuese ruse në Ukrainë. Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se fuqizon pozitën e Kosovës kundrejt Serbisë dhe atë për fajin e lidershipit aktual kosovar, si do të shihet në vijim.

Serbia si përfitues strategjik

Pikërisht në këtë situatë, Serbia, me kujdes të shtirur dhe diplomaci të ftohtë, po përfiton në mënyrë të qëndrueshme: së pari, ajo prej kohësh pozicionohet si faktor stabiliteti rajonal, ndërsa Kosova shihet si burim bllokade; së dyti, përfiton nga mbështetja e Moskës dhe Pekinit, por njëkohësisht ruan kredencialet perëndimore, falë mbështetjes së Francës dhe Italisë; së treti, në çdo rikthim të SHBA-ve në dialog, Serbia gjendet në një pozicion më të favorshëm, sepse nuk ka lidhur aleanca absolute që ta kufizojnë veprimin e saj.

Dimensioni i fundit duhet parë në dritën e detyrimeve ekzistuese që Kosova ka marrë përsipër në Ohër: realizimin e autonomisë politiko-territoriale për serbët e Kosovës. Këto detyrime nuk mund të zhbëhen, edhe për faktin e thjeshtë se ato tashmë janë pjesë e vlerësimit evropian për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ka pak gjasa që ky segment i dialogut Kosovë-Serbi të ndryshojë rrënjësisht, pasi nuk mund të pësojë metamorfozë të madhe edhe me ndërhyrjen e ardhshme dhe të pritshme amerikane, për shkak të kufizimeve institucionale që BE-ja ka vendosur në Ohër për këtë dialog.

Ajo që pritet të modifikohet thelbësisht ka të bëjë me orientimin e pritshëm dhe të drejtë amerikan në këtë dialog — fuqizimin e anës ekonomike dhe të mobilitetit social në marrëdhëniet midis dy vendeve. Kjo qasje ka shumë më shumë mundësi për progres në dialog, pasi pala serbe ka barrierë të pakalueshme në njohjen ndërkombëtare të Kosovës si shtet; pra, Serbia, njësoj si Irani dhe disa vende të tjera me shumicë myslimane, ka telashe me ekzistencën e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur.

Për të tejkaluar këtë, rruga më e mirë është transformimi i mosmarrëveshjes – nga një konflikt mbi luftën për ekzistencë të njërës palë – në një mosmarrëveshje për arritjen e një konsensusi për bashkëpunim ekonomik dhe rritje të mobilitetit social midis dy vendeve. Me kalimin e kohës, kjo mund të sjellë përafrim të qëndrimeve midis palëve, edhe nëse nuk arrihet marrëveshje e plotë.

Ajo që do të arrihet, dhe kjo është e sigurt, është paqja dhe siguria në rajon. Një qasje e tillë transformuese në raportet Kosovë-Serbi krijon hapësirë për ndërtimin e një mjedisi të sigurt dhe paqësor për zhvillim ekonomik dhe shoqëror.

Rreziku për Kosovën

Në këtë realitet, Kosova, me një klasë politike të ndarë, një opozitë të pafuqishme dhe një shoqëri civile të stërkonsumuar nga grantet, rrezikon të bëhet jo vetëm viktimë e armiqve, por edhe kolateral i aleatëve të përbashkët që kanë Kosova dhe Serbia.

Në edicionin e vitit 1996 të librit International Relations Theory nga Mark V. Kauppi dhe Paul R. Viotti, në kapitullin 2 (“Realism: The State and Balance of Poëer”), trajtohet ideja se kur dy palë në konflikt ndajnë një aleat të përbashkët të fuqishëm, konflikti ka më shumë gjasa të zgjidhet paqësisht. Ky koncept nuk emërtohet domosdoshmërisht si “quasi-alliance” në këtë botim, por përshkruhet qartë përmes analizës së rolit të fuqive të treta në ruajtjen e stabilitetit dhe balancës së fuqisë. Në botimet e mëvonshme të librit haset shprehja “quasi-alliance”. Aleati i përbashkët ndikon në sjelljen e palëve duke kufizuar mundësitë për agresion. Ai ofron një lloj sigurie të ndarë që dekurajon konfliktin e drejtpërdrejtë. Një aleat i tillë krijon presion për kompromis dhe zgjidhje të pranueshme politikisht. Prania e tij luan rol të ngjashëm me një “polic strategjik” që ruan balancën.

Mbase lexuesi mund të habitet pse po përdor botimin e vitit 1996 të këtij libri! Arsyeja është se ky libër, që ka pasur dhjetëra botime më pas, ka qenë libri bazë kur kam dhënë për herë të parë provimin e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në studimet e dyta master te prof. Scott Pegg. I njëjti libër ka qenë në mesin e literaturës së detyrueshme për studentët e doktoratës, te po i njëjti profesor amerikan. Me këtë dua të them se si i tillë, ky libër përbën një standard dhe është nga më të përdorurit në lëndën e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Pas këtij digresioni të vogël, le të kthehemi te tema jonë. Konflikti me Iranin mund të thellohet, por edhe në rast se nuk thellohet dhe zgjidhet me një marrëveshje përfundimtare, siç pritet, vëmendja amerikane do të shpërndahet. Në këtë kontekst, pazaret strategjike mund të përfshijnë: së pari, pranimin e statusit të diskutueshëm të Kosovës si një element fleksibël në tavolinë; dhe, së dyti, ushtrimin e presionit mbi Ukrainën për një kompromis me Rusinë, që në praktikë do t’i hapë rrugë edhe presionit mbi Kosovën për tërheqje në raport me Serbinë.

Zgjimi i vonuar është i padobishëm

Nëse klasa politike në Prishtinë nuk kupton se lëvizjet e mëdha nuk bëhen në zhurmë mediatike, por në heshtje diplomatike, atëherë do të jetë shumë vonë kur të vijë momenti i ballafaqimit me realitetin: Kosova po vazhdon të jetë subjekt i pazareve, jo palë në to. Kështu ka qenë edhe në Ohër, kur iu njoh autonomia politiko-territoriale serbëve lokalë. Në këto pazare, siç u pa edhe atëherë, asgjë nuk falet – gjithçka blihet ose shitet, si heshtja e Rusisë dhe Kinës ndaj Iranit.

Megjithatë, në këtë rast, blerja ose shitja do të bëhet me pikë referimi zbërthimin e klauzolës së Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën Kosova ka hequr dorë nga kërkesa për njohje nga Serbia, duke i dhënë të drejtë kësaj të fundit të kontestojë statusin ekzistues të Kosovës. Kjo do të thotë se modaliteti ekonomik që pritet të dominojë rikthimin amerikan në dialogun Kosovë – Serbi mund të ketë ndikime të thella që prekin vetë statusin e Kosovës, për shkak se Marrëveshja e Ohrit mbetet bazë dhe pikënisje për diskutim.

I tillë ka qenë edhe projekti i fshehtë për ndarjen (copëtimin) e Kosovës, i promovuar në mënyrë të tërthortë nga kryeministri Edi Rama – konceptualisht i ngjashëm me klauzolën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila i njeh Serbisë të drejtën për të kontestuar shtetësinë e Kosovës. Dallimi thelbësor mes tyre është se, në rastin e parë, kontestimi ishte i përqendruar në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës, ndërsa në të dytin, ai shtrihet gjerësisht dhe prek tërësisht subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Mirë se vini në të ardhmen e Kosovës, ku territori – apo vetë shtetësia – bëhen objekt diskutimi strategjik, ashtu siç është lejuar dhe pranuar nga vetë udhëheqësit politikë të saj në etapa të ndryshme të dialogut me Serbinë.

(Autori është kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare)