Heshtja për faqe t’zezë - Gazeta Express
string(22) "heshtja-per-faqe-tzeze"

OP/ED

Gazeta Express

19/03/2021 15:15

Heshtja për faqe t’zezë

OP/ED

Gazeta Express

19/03/2021 15:15

Pjesa e politikës që ia ka qitë faqen e zezë Kosovës në botë tash po “kujdeset” që t’ia ruajë imazhin. Po thonë që nuk bën t’i tregohet botës se në Kosovë paska korrupsion. Pra, “shpinë ban me e vjedhë, veç mos me e marrë vesh tjert”.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Duke u përgjigjur në “Hard Talk” të BBC’së, Vjsoa Osmani tha se ndër problemet kryesore në Kosovë janë krimi dhe korrupsioni. Një përgjigje që do të mund ta jepte shumëkush në Kosovë. Një përgjigje që është rezultat i mënyrës se si është qeverisur vendi ndër vite.

Por, kjo pjesë e intervistës së u.d. presidentes u kritikua dhe Osmani u sulmua, thua se kishte bërë një sakrilegj, pra, thua se kishte cënuar diçka që mbahet si e shenjtë, e paprekshme, thua se kishte fyer diçka të nderuar e të dashur.

Për shkak të kësaj deklarate, Osmani u sulmua në masë të madhe nga pjesa e politikës që mbahet përgjegjëse për korrupsionin e krimin në Kosovë, për sistemin e politizuar e të dështuar të drejtësisë, për institucionet e kapura, për nepotizmin e keqqeverisjen. Ajo u sulmua nga pjesa e politikës që luftën kundër korrupsionit e ka pasur veç retorikë dhe që në vend se ta luftojë, e ka kultivuar e mirëmbajtur atë.

Ata që e kritikuan dhe sulmuan Osmanin arsyetonin se ajo nuk shtë dashur të flasë në këtë mënyrë për një medium ndërkombëtar, sepse si presidente nuk i takonte t’ia qesë faqen e zezë nëpër botë vendit që udhëheq. Pra, sipas kësaj logjike, ajo do të duhej të mos përsëriste diçka që tash gati dy dekada e thotë pothuajse secili raport organizatash e institucionesh ndërkombëtare. Sipas kësaj logjike është në rregull ta vjedhësh shtëpinë tënde, por duhet pasur shumë kujdes që për këtë të mos marrin vesh të tjerët. Sepse, pak a shumë, kështu ka funksionuar qeverisja në Kosovë – hajni e keqpqërdorime të vazhdueshme, me letra e pa letra, por që duhet mbetur brenda, e jo bërë horë nëpër botë.

Duke parë e lexuar kritikat ndaj intervistës së Osmanit krijohet përshtypja se bota rreth nesh është e verbër, e shurdhër dhe as ka parë, as ka dëgjuar çfarë ka ndodhur ndër vite në Kosovë. Krijohet përshtypja se fajtorë për prishjen e imazhit të vendit janë Osmani dhe të tjerët që flasin hapur për problemin e korrupsionit, e jo ata që e kultivojnë e përfitojnë nga ky fenomen. Krijohet përshtypja se mediat globale janë naive dhe nuk dinë çfarë ndodh në Kosovë.

* * *

Mjafton të lexohen raportet për Kosovën të Bashkimit Europian, Departamentit të Shtetit, organizatave si Transparency International për të parë se në ç’situatë gjendet Kosova sa i përket korrupsionit. Për më shumë, mjafton të jetosh në Kosovë dhe ta provosh çdo ditë në lëkurë se çfarë është keqqeverisja, papërgjegjësia, mujshia e pandëshkueshmëria.

Sipas kritikuesve të Osmanit nuk është patriotike të flitet kundër krimit e korrupsionit. Nuk është patriotike të etiketosh zëshëm dhe me vendosmëri fenomenet që po frenojnë zhvillimin e vendit. Atëherë, a i bie që patriotizëm është të vjedhësh, të keqpërdorësh asetet e shtetit? A i bie që patriotizëm është të kultivosh nepotizmin?

Me korrupsion e krim nuk ka zhvillim as ekonomik, as shoqëror. Ndonjë investitor i huaj potencial heziton të vijë e të investojë në Kosovë jo pse presidentja a kushdo tjetër thotë se këtu ka korrupsion, por për shkak se ata që qeverisin dhe të tjerë rreth tyre, që kryejnë pazare për ta, mund t’ua kërkojnë një përqindje të majme parash për xhepat e vet. Raporte të ndryshme ndërkombëtare flasin për korrupsion endemik në Kosovë. Gjendja nuk ndryshohet duke heshtur e bërë patriotin e rrejshëm që po e ruajka imazhin e Kosovës, por duke ngritur zërin e duke punuar që niveli i korrupsionit të ulet.

Korrupsioni nuk është vetëm perceptim, por realitet. Nuk mjaftojnë slloganet e tipit “po punohet për ta hequr nga diskursi publik fjalën korrupsion”, por duhet krijuar kushte që institucionet përkatëse ta bëjnë punën e tyre si duhet.

Nëse në një medium ndërkombëtar thua se nuk ka korrupsion në Kosovë, atëherë ke gënjyer veten dhe ata që i qeveris. Sepse qytetarët bashkëjetojnë çdo ditë me korrupsionin dhe fenomene të tjera negative. Imazhi i vendit nuk prishet duke konstatuar gjendjen në të cilën janë shteti dhe shoqëria, imazhi prishet duke dërguar çdo ditë mesazhe keqqeverisjeje që kanë adresë të saktë. Imazhi prishet nga raportimet për hajnitë milionëshe që ndodhin, nga fotografitë e valixheve të mbushura plot euro, nga vendimet korruptive të gjykatësve e prokurorëve, nga vendimet dhe veprimet e politikës në favor të vetes dhe të të vetëve, e në dëm të qytetarëve.

* * *

Sipas “patriotëve kujdestarë” shtëpinë, shtetin bën ta vjedhësh, por e rëndësishme është të mos e marrin vesh të tjerët. Logjika e tillë inkurajon mirëmbajtjen e korrupsionit dhe kurrsesi nuk ndihmon luftën kundër këtij fenomeni.