Një ditë pas alarmit në rrjetet sociale për një rast të dyshuar helmimi në Kopshtin Nr.1 të Gramshit, policia “thyen heshtjen” dhe konfirmon se çështja po hetohet.
Gjithçka nisi më 24 maj, kur gjashtë fëmijë u paraqitën në spital me shenja helmimi. Dyshimet e para flasin për një infeksion nga salmonela, i marrë përmes ushqimit të servirur në institucionin parashkollor.
Pas shpërthimit të lajmit në rrjet, Specialistët për Hetimin e Krimit nisën hetimet dhe materialet procedurale janë referuar tashmë në Prokurorinë e Elbasanit.
Policia ka sekuestruar kartelat mjekësore të fëmijëve të shtruar, dokumentacionin mbi furnizimet ushqimore të kopshtit, dhe ka marrë mostra nga ushqimet për analiza laboratorike. Produktet e mbetura në kuzhinë janë bllokuar.
Nën lupën e hetuesve është tani zinxhiri i furnizimit, mënyra e ruajtjes së ushqimeve dhe higjiena në kuzhinën e institucionit.
Hetimet vijojnë, ndërsa prindërit kërkojnë përgjigje për pyetjen më shqetësuese: si është e mundur që në një institucion publik për fëmijë, standardet bazë të sigurisë ushqimore të dështojnë kaq rëndë?
Nga përgjigjet e analizave deri tani konfirmohen edhe 3 fëmijë të tjerë helmuar me salmonelë në Gramsh. Pra ne total 4 raste te konfirmuara. Vazhdojnë analizat edhe për pjesën e mbetur pasi në total janë marrë 72 mostra./Tch/