Sipas raportimeve të Tuttomercato, skuadra italiane Hellas Verona ka shfaqur interes konkret për mbrojtësin shqiptar Ardian Ismajli, të cilin e sheh si përforcim të qëndrueshëm për repartin defensiv.
Ismajli, që aktivizohet te Empoli, është pranë përfundimit të kontratës së tij – e cila skadon në fund të këtij muaji – duke e bërë atë një opsion të lirë në tregun e transferimeve.
Mbrojtësi qendror 27-vjeçar ka një përvojë të konsiderueshme në Serie A, me afro 120 paraqitje mes skuadrave të Spezias dhe Empolit, ndërkohë që ka grumbulluar edhe 45 ndeshje me fanellën e kombëtares shqiptare.
Paga e tij aktuale bruto prej 900 mijë eurosh konsiderohet e përballueshme për buxhetin e Veronës, gjë që e bën transferimin edhe më tërheqës për klubin italian.
Megjithatë, interesimi i Besiktasit nga Turqia ka hyrë në lojë dhe mund të komplikojë negociatat.
Pritet që ditët në vijim të jenë vendimtare për të ardhmen e Ismajlit, ndërsa ai vlerësohet si një profil me eksperiencë dhe që mund të sjellë stabilitet në prapavijë, qoftë në Serie A apo në një aventurë të re jashtë Italisë./GazetaExpress/