Hekuran Kryeziu, trajner i ri i Kosovës U-21 - Gazeta Express
string(43) "hekuran-kryeziu-trajner-i-ri-i-kosoves-u-21"

Futboll

Gazeta Express

26/11/2025 10:05

Hekuran Kryeziu, trajner i ri i Kosovës U-21

Futboll

Gazeta Express

26/11/2025 10:05

Hekuran Kryeziu është zgjedhur selektor i Kosovës U-21.

Lajmin e ka bërë të ditur Federata e Futbollit të Kosovës përmes uebfaqes së vetë zyrtare, përmes së cilës njoftoi po ashtu se trajneri i deritashëm, Afrim Tovërlani është liruar me marrëveshje të dyanshme pasi e mori në dorë FC Prishtinën, shkruan “Gazeta Express”.

E ish-kapiteni i Kombëtares, Kryeziu tash e tutje do t’i drejtojë “Dardanët e rinj” me synimin e vazhdimit të rezultateve pozitive dhe ndjekjen e rrugës së “Tokit”.

Më poshtë mund ta lexoni njoftimin e FFK-së:

“Federata e Futbollit e Kosovës njofton opinionin se përzgjedhësi i deritanishëm i Kombëtares U21, Afrim Tovërlani, është liruar nga detyra me kërkesë të tij dhe me marrëveshje të dyanshme, për t’u angazhuar si kryetrajner te FC Prishtina.

FFK i shpreh falënderimet më të sinqerta Tovërlanit për punën e palodhshme dhe korrektësinë profesionale gjatë viteve të angazhimit në Kombëtaren U21, duke kontribuar në zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe forcimin e ekipit.

Nga tani, përgjegjësinë e përzgjedhësit të Kombëtares U21 do ta marrë Hekuran Kryeziu, i cili deri më tani ka qenë ndihmëstrajner i Tovërlanit. Kryeziu, me një karrierë të bujshme si futbollist, si në nivel klubesh, por po ashtu edhe me fanellën e Kombëtares dardane, do të vazhdojë punën bashkë me pjesën tjetër të stafit të trajnerëve, me synimin e vazhdimësisë së rezultateve pozitive dhe stabilitetit në ekipin kombëtar U21.

Me këtë rast, FFK u uron sukses të dy trajnerëve në sfidat e tyre të reja, teksa do të vazhdojë të ndjekë frymën e profesionalizmit dhe afrimit të ish-futbollistëve të Kombëtares në detyra të reja.” /Gazeta Express