Sekretari amerikan i Mbrojtjes*, Pete Hegseth, sërish ka paralajmëruar Teheranin se Pentagoni është “më se i përgatitur” për të ndërmarrë veprime nëse Irani refuzon të negociojë për programin e tij bërthamor.
“Presidenti [amerikan, Donald Trump] ka qenë shumë i qartë që nga fillimi, edhe para [v.j. operacionit ushtarak amerikan kundër objekteve bërthamore të Iranit në qershor 2025] Çekanit të Mesnatës. Irani nuk do të ketë kapacitete për armë bërthamore. Pra, ata mund të negociojnë në këtë drejtim ose ne kemi opsione të tjera”, tha Hegseth më 2 shkurt për gazetarët gjatë një udhëtimi për në Floridë.
Duke theksuar se veprimi ushtarak nuk është opsioni i preferuar, Hegseth shtoi se “[presidenti Trump] nuk dëshiron të shkojë kësaj rruge, unë nuk dua të shkoj kësaj rruge, por është detyra jonë që të jemi të përgatitur, prandaj edhe jemi të përgatitur, jemi më se të përgatitur”.
Ai po ashtu tha se Irani “ka një zgjedhje” për të negociuar.
Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë një ditë më parë, presidenti Trump tha se Irani po “bisedon seriozisht” me Shtetet e Bashkuara.
Udhëheqësi amerikan shtoi se Uashingtoni po mban presionin ndaj Teheranit.
“Ne kemi anije që janë duke shkuar drejt Iranit tani, anije të mëdha… dhe ne po zhvillojmë bisedime me Iranin. Të shohim se cili do të jetë rezultati”, tha ai.
Ushtria amerikane ka dislokuar në afërsi të brigjeve të Iranit një grup sulmues detar, të udhëhequr nga aeroplanmbajtësi USS Abraham Lincoln.
Presidenti Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e një veprimi ushtarak ndaj Iranit, si kundërpërgjigje ndaj shtypjes brutale të protestave antiqeveritare që shpërthyen në fund të dhjetorit në mbarë Iranin.
Organizata për të drejtat e njeriut me seli në SHBA, HRANA, shifrat e të cilave Radio Evropa e Lirë i ka cituar vazhdimisht që nga nisja e shtypjes së dhunshme në Iran, thotë se numri i vdekjeve të konfirmuara, përfshirë edhe të forcave të sigurisë, tani është 6.563, ndërkaq numri i vdekjeve që ende po hetohen është 17.091. Më shumë se 49.000 persona janë arrestuar.
Disa media, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, kanë raportuar se numri i viktimave është shumë më i lartë./REL/