Kryeministri në detyrë Albin Kurti e ka quajtur “lajm të mirë” vendimin për rritjen e shtesave të grave lehona. Duke i llogaritur edhe shtesat për fëmijë, Kurti tha se nënat lehona do të përfitojnë mbështetje mbi 2 mijë euro nga qeveria për nëntë muajt e parë pas lindjes.
“Lajmi tjetër i mirë sot është për gratë lehona të punësuara; tash e tutje, mbështetja e qeverisë për to për tre muaj të pushimit të lehonisë sipas Ligjit të Punës do të jetë 319.5 euro apo 43.3% më shumë sesa mbështetja aktuale prej 233 euro Kjo po bëhet e mundur sepse sot miratuam pagën e re mesatare referuese e cila përdoret për përllogaritjen e pagesës për tre (3) muaj në nivelin 50% të pagës mesatare nga ana e Qeverisë për secilën lehonë të punësuar. Kështu lehonat e punësuar, përveç pagesës prej 70% për gjashtë (6) muaj nga punëdhënësi, do të kenë tre (3) muaj pagesë të lehonisë nga Qeveria në vlerë prej 319.5 euro në muaj dhe – në kuadër të skemës së shtesave për lehona – edhe tre (3) muaj të tjerë nga 325.9 euro në muaj. Kur kësaj i shtohen edhe shtesat mujore për fëmijë, i bie se edhe lehonat e punësuara do të përfitojnë mbështetje mbi 2 mijë euro nga Qeveria jonë në nëntë (9) muajt e parë pas lindjes, krahas pagesës që marrin nga punëdhënësi i tyre. Për mirëqenien që nisë me nënat.”
Lidhur me këtë vendim të Qeverisë, deputeti i LDK’së Lutfi Haziri tha se “dihet motivi” dhe se “i vjen era fushatë”.
“Sjellja e vendimeve të tilla, pavarësisht çfarë raporti e arsye e çfarë motivi – që po dihet cili është – i vjen era fushatë”.
Por, Haziri tha se është irrituese derisa bëhet kjo fushatë për zgjedhje lokale, ndërsa nuk po arrijnë të formojnë institucionet nga zgjedhjet e shkurtit.
“Në njërën anë me hy në fushatë për zgjedhje lokale e në anën tjetër mos me pasë mundësi të menaxhosh suksesin për ndërtimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës është diçka që po lexohet drejt: është irrituese, e neveritshme edhe për mua edhe për qytetarët. Njerëzit nuk janë vetëm numër e mekanizëm që dalin me votu vetëm kur i teket politikanëve”.