Nënkryetarja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, iu bashkua shefit të saj të partisë, Albin Kurti, si dhe nënkryetarit Glauk Konjufca në një bisedë për të kujtuar 20-vjetorin e themelimit të partisë së tyre.
Haxhiu, duke treguar se si është regjistruar në këtë parti, tha se në fillimet e saj ka qenë sy e veshë ndaj fjalimeve të Albin Kurtit, ndërsa tha se kjo parti edhe e ka emancipuar.
Fillimisht, ajo foli për Vetëvendosjen duke thënë se nuk e sheh si parti të zakonshme.
“Vetëvendosje nuk ka qenë dhe nuk vazhdon të jetë thjesht si një parti politike e zakonshme. Shumë prej nesh e kanë parë si një hapësirë ku e kemi gjetur edhe zërin, formën dhe qëllimin tonë politik. Në vitin 2005 kur Vetëvendosje është themeluar s’kam qenë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, pra formalisht. Sot këtu po e shoh personin që më ka bindur që të anëtarësohem në Vetëvendosje”.
“Isha në aktivitete dhe aksione si shumë të rinj të asaj kohe. E kujtoj që i kemi pasë sytë e veshët e hapur për të gjitha fjalimet që i ka mbajtur kryetari ynë, për të gjitha fjalimet që i kanë mbajtur themeluesit e Vetëvendosjes. Kosova ka qenë atëherë ende e brishtë, me dhimbjet e luftës, me inst të dobëta, me sist të drejtësisë të kontrolluar nga jashtë dhe me një kastë politike të pavizionm, e korruptuar dhe më shumë probleme. Prandaj, Lëvizjen e kam parë që s’ka qenë parti e zakonshme politike, por si një reagim moral, qytetar e politik ndaj një gjendje të padrejtë”.
Më pas, Haxhiu tregoi se si shkoi para Konjufcës për të mbushur formularin dhe tregoi se e kishte një brengë – mos po i ngarkon me punë me anëtarësimin e saj.
“Anëtarësimi im ka ndodhur në shtatorin e vitit 2010 dhe për këtë është baca Zaim. Ai dhe babai im më kanë thënë se meqë ‘ti po merr pjesë në aksionet e Vetëvendosjes, në protesta, pse s’po shkon me u anëtarësu në Vetëvendosje’. Është shumë interesant sepse më vinte keq se thojsha mos po i rëndoj, mos po i ngarkoj këta shumë me punë e angazhime e me shku me thënë po du mu anëtarësu, d.m.th nuk e shihsha si dobi, por thojsha mos po i ngarkoj. Por, ja që në Pejton, jam pritur prej Glaukut dhe kur e kam mbushur formularin para Glaukut”.
Për Kurtin Haxhiu tha se e kishte frymëzim dhe se s’ishte e vetmja.
“Jam anëtarësuar në Vetëvendosje sepse kam besuar në figurën e Albinit. Albini për mua dhe shumë të tjerë ka qenë frymëzim dhe se bindjet e mia për barazi, për vetëvendosje, për drejtësi sociale i ka përfaqësuar edhe Lëvizja Vetëvendosje”.
Haxhiu tha se Vetëvendosje ka pasë rol edhe në barazinë gjinore dhe se “aktivistja e Vetëvendosjes ka arritur ta emancipojë shoqërinë”, duke treguar se edhe ato mund të protestojnë dhe të burgosen.
“Edhe unë vetë personalisht kam kaluar në një proces emancipimi gjatë kësaj periudhe kohore. Angazhimi në Lëvizjen Vetëvendosje më ka forcuar edhe si qytetare, më ka forcuar edhe si grua edhe si profesioniste, aktiviste e kështu me radhë”./Express/