Ministrja në detyrë e Drejtësisë tha se duhet “të sfidohet” logjika në bazë të së cilës Gjykata Kushtetuese vendosi të premten lidhur me konstituimin e Kuvendit.
Albulena Haxhiu tha se Kushtetuesja e interpretoi Kushtetutën “sipas dëshirës”, duke mos treguar se si do të sillen karshi aktgjykimit.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që kjo logjikë vendimmarrjeje të sfidohet sepse Kushtetuta nuk është një tekst i lirë për interpretim dhe nuk mundesh ti sipas dëshirave apo sipas momentume politike ta intepretosh Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Por është një akt juridik që ka forcë supreme, i cili duhet të repsektohet si në frymë, po ashtu edhe në shkronjë. Prandaj, se cili do të jetë veprimi jonë pas këtij njoftimi, gjegjësisht pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese do ta kuptoni kur të vijë koha”, tha ajo në një konferencë për media.
E pyetur se a do ta respektojnë vendimin, ajo fillimisht tha kështu: “Unë s’po di cilin vendim me e respektu. Atë të 2014-ës, ata të para një muaji a para sa ishte, apo këtë të fundit”.
Më pas, Haxhiu u tha gazetarëve “ma thuani vetëm një rast kur ne kemi thënë që nuk e respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
“Natyrisht që vendimet e Gjykatës Kushtetuese respektohen, por ato duhet të komentohen, ato duhet të kundërshtohen”, tha ajo.
Haxhiu nuk tregoi nëse do të jetë sërish emri i saj, propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.
“Partia fituese është ajo që ka marrë mbështetjen më të madhe qytetare, prandaj ajo ka legjitimitetin më të lartë që ta ketë të drejtën e propozimit të kryetarit të Kuvendit. Kushtetuta thotë që ta ketë të drejtën e propozimit të kryetarit, por natyrisht që tani duhet mbështetja e partive tjera që të zgjidhet kryetari i Kuvendit”, tha ajo.
“I mbetet Lëvizjes Vetëvendosje që t’i vlerësojë të gjitha këto rrethana dhe të vendosë për këtë çështje”, tha Haxhiu.
Albulena Haxhiu ishte e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit në një tentim për konstituimin e tij që u stërzgjat. Kryetari i këtij subjekti politik, Albin Kurti nuk e ndërroi emrin e saj dhe organi më i lartë ligjvënës i vendit përfundimisht dështoi të konstituohej brenda afatit kushtetues, të dhënë në një aktgjykim paraprak të Gjykatës Kushtetuese, i cili nuk arriti ta zgjidhte ngërçin politik në vend.
Partia e Kurtit u përpoq ta bënte të fshehtë votimin në seancën konstituive, pasi Haxhiu dështoi disa herë në mënyrë të përsëritur që t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur.