Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk iu përgjigj pyetjes se pse nuk po e propozojnë Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.
Gazetarit që e shtroi pyetjen, Haxhiu i sugjeroi në një konferencë për media pas Kryesisë së Kuvendit që atë t’ia bëjë grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Një kat më poshtë është grupi parlamentar i Vetëvendosjes. Të inkurajoj që ta merrni qëndrimin nga Vetëvendosja. Sot flas pas mbledhjes së Kryesisë si kryetare e Kuvendit”, tha ajo.
E pyetur nëse janë përmendur emra konkretë në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së, ajo tha se “ka pasur diskutime” për çështjen e Presidentit, por shtoi se “nuk janë përmendur emra të përveçëm, përveçse ata që i ka përmendur publikisht kryeministri Kurti”.
Duke folur për çështjen e Presidentit, Haxhiu tha se “procesi i zgjedhjes së tij apo saj duhet të reflektojë përgjegjësi, maturi, dhe mbi të gjitha frymë bashkëpunimi”.
“Nuk është koha as për përplasje, as për kërkesa të parealizueshme që e largojnë procesin nga thelbi i tij”, tha ajo.
Haxhiu tha se “duhen diskutime të sinqerta, me kërkesa të arritshme dhe jo barrikada të patejkalueshme”.
Ajo tha se i mirëpret takimet dhe diskutimet mes partive politike rreth kësaj çështjeje.
“Mbështes po ashtu çdo përpjekje serioze për dialog konstruktiv mes palëve politike me qëllim gjetjen e një kandidature që bashkon”.