Haxhiu kryetare, Simiqi nënkryetar - tërheqja e LVV-së dhe votimi në "harmoni të plotë" që e zgjidhi për 1 orë bllokadën - Gazeta Express
string(115) "haxhiu-kryetare-simiqi-nenkryetar-terheqja-e-lvv-se-dhe-votimi-ne-harmoni-te-plote-qe-e-zgjidhi-per-1-ore-bllokaden"

Lajme

Gazeta Express

12/02/2026 13:12

Haxhiu kryetare, Simiqi nënkryetar – tërheqja e LVV-së dhe votimi në “harmoni të plotë” që e zgjidhi për 1 orë bllokadën

Lajme

Gazeta Express

12/02/2026 13:12

Lëvizja Vetëvendosje s’do ta votonte kurrë dikë të Listës Serbe për nënkryetar të Kuvendit, me arsyetimin se vullnetin politik nuk mund “ta imponojë” as Gjykata Kushtetuese. Dimal Basha e “rrëzoi” aktgjykimin e fundit dhe Mimoza Kusari Lila tha se zgjidhja e tyre e vetme ishte Nenad Rashiqi. Por LVV-ja vendosi të tërhiqej nga këto qëndrime dhe Agim Bahtirit mbrëmë iu desh t’i shmangte pyetjet e gazetarëve që e përballnin me një deklaratë të tij të para disa muajve: “Më përpara e pres dorën sesa e votoj Listën Serbe”.

Gazeta Express

Albulena Haxhiu kryeparlamentare, Sllavko Simiq nënkryetar i Kuvendit. Kjo dukej pothuajse e pamundur për Lëvizjen Vetëvendosje për gati një vit, por ndodhi dje në më pak se një orë.

Konstituimi i Kuvendit, si hapi i parë për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, u duk se mund të bëhej problem edhe sivjet. Nëse këtë herë çështja nuk do të ngecte te zgjedhja e kryeparlamentarit, ngërçi u duk se mund të zhvendosej te zgjedhja e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi Kushtetuesja vendosi se kjo pozitë i takon partisë ose koalicionit që ka fituar shumicën e votave të serbëve. Kjo do të thoshte se Lista Serbe do të duhej të përfaqësohej në Kuvend me një nënkryetar.

Por zgjidhja erdhi mjaft shpejt. Erdhi të martën në një mbledhje të Kryesisë së Kuvendit.

Për nënkryetarët u vendos të votoheshin bashkë. Të gjithë. Kryetari i Kuvendit në legjislaturën e shkuar, Dimal Basha, tha se kishin arritur një konsensus që “të shkohet në votim në pako – pra, në pako të votohet për pesë nënkryetarët”.

Ashtu ndodhi dje. Të gjithë deputetët e LVV-së votuan për. U bënë 104 vota. Bashkë me Sllavko Simiqin, nënkryetarë përnjëherë u zgjodhën edhe Ardian Gola i LVV-së, Vlora Çitaku e PDK-së, Kujtim Shala i LDK-së dhe Emilja Rexhepi nga grupi multietnik.

Kushtetuesja kishte thënë se zgjedhja e Nenad Rashiqit nënkryetar i Kuvendit në tetor të vitit të kaluar ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit. Në këto rrethana, Gjykata nuk ka paraparë ndonjë “efekt prapaveprues”.

Basha, i cili me t’u zgjedhur Rashiqi nënkryetar e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin në mënyrë jokueshtetuese, nuk po e pranonte këtë aktgjykim të gjykatës e cila është kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në vend dhe arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese.

Njoftimit të Kushtetueses për aktgjykimin, Basha i gjeti “gabime thelbësore në interpretim”. Shkroi një reagim në Facebook ku tha se ai vetë e ka në dorë interpretimin përfundimtar të Rregullores së Kuvendit, dhe jo Gjykata.

Mimoza Kusari Lila, që ishte shefe e grupit parlamentar të LVV-së gjatë legjislaturës së kaluar, u duk sikur po paralajmëronte një ngërç të ri, ndërsa komentonte këtë vendim të fundit të Kushtetueses.

Ajo thoshte se “tashmë kemi disa aktgjykime që në njëfarë mënyre rregullojnë pothuajse çdo detaj të seancës konstituive të Kuvendit, por asnjë prej tyre nuk mund të imponojë vullnet politik”.

“Unë qëndroj pas mendimit se grupi ynë parlamentar nuk do të japë votë për deputetët nga Lista Serbe, derisa të shqyrtohen detajet e aktgjykimit të plotë dhe të përcaktohet mënyra e duhur për zgjedhjen e një përfaqësuesi, gjegjësisht, në rastin konkret, e vetmja zgjedhje për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, deputeti Nenad Rashiq”, kishte thënë ajo në Tëvë1.

Por nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca, të martën paralajmëroi tërheqjen nga ky qëndrim.

“Ne kurrë nuk i kemi refuzu aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha ai në një prononcim për gazetarë. Betejat tha se “natyrisht kanë qenë politike”.

Deputeti i LVV-së, Agim Bahtiri, i cili kishte thënë “më përpara e pres dorën sesa e votoj Listën Serbe”, u desh të heshtte e t’i shmangte pyetjet e gazetarëve mbrëmë pas konstituimit të Kuvendit.

LVV-ja, e cila e kishte shpallur të kryer konstituimin e Kuvendit vitin e kaluar edhe pa zgjedhjen e një nënkryetari serb, ndërsa Konjufca thoshte në një mbledhje të partisë se Gjykata Kushtetuese do të kryente “tradhti shtetërore” nëse do të vendoste se kjo nuk ishte në rregull.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, tha dje para seancës konstituive se çështja e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit në pako “është fatkeqësisht një strategji e ndërrimit të pozicioneve të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri tha se “Kosova humbi një vit” . Votimi në pako i nënkryetarëve të Kuvendit, përfshirë atë nga Lista Serbe, ai tha se “padyshim që e zgjodhi një problem”.

Duke iu referuar LVV-së, Tahiri tha se kjo parti synoi votimin në pako për ta “kamufluar” votimin e Sllavko Simiqit.

“U pa se kjo pako ishte një lloj synimi i kamuflimit të votimit për nënkrytarët. Në një kohë, Sllavko Simiqi, respektivisht deputeti i Listës Serbe, nuk është pranuar. Ai u quajt terrorist kur ishte vetëm, ndërsa kur hyri në pako u votua”.

Haxhiu, e cila mbrëmë pasi u ul në karrigen e kryeparlamentares u zotua se detyrën e re do ta ushtrojë me “paanshmëri, integritet dhe përkushtim të plotë institucional”, në nëntor të vitit të kaluar i akuzonte deputetët e partive tjera se kishin votuar “në harmoni të plotë” me Listën Serbe kundër një qeverie të udhëhequr nga Glauk Konjufca.

Këtë herë, nga foltorja e Kuvendit ajo kërkoi që “debatet t’i zhvillojmë me argumente, kritikat t’i shoqërojmë me përgjegjësi, dhe dallimet t’i mbajmë brenda respektit të ndërsjellë”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement