Anëtari i kryesisë së partisë GUXO, Kujtim Hajdaj, tha se ka pezulluar aktivitetin e tij politik në këtë parti në mbështetje të presidentes Vjosa Osmani, e cila ishte themeluese e kësaj partie.
“Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmani për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana tjera që më janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, që nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO, si anëtarë i kryesisë qendrore dhe si koordinator i saj jashtë Kosove”, ka shkruar ai.
Përveç Hajdajt, dorëheqje dha edhe deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, i cili më pas u pa krah Osmanit në një iftar të shtruar në Lipjan.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
Të dashur miq
Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmani për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana tjera që m’u janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, që nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO, si anëtarë i kryesisë qendrore dhe si koordinator i saj jashtë Kosove.
Sigurisht, unë do i mbaj dhe ruaj kujtimet me të mira të atij rrugëtimi politik, sepse përgjatë krejt asaj periudhe kohore, prej daljes në skenë politike të Listës ‘Vjosa’ kam hasur dhe bashkëpunuar pastër dhe ndërgjegjshëm me shumë njerëz të mirë, patriot dhe patriote, që e donë popullin dhe shtetin tonë sovran, Republikën e Kosovës.
Fatkeqësisht, siq e kam thënë edhe ma parë, politika është sa atraktive dhe arti i së mundures, ajo nganjëherë dinë të jetë edhe mizore.
Pa marrë parasysh, se çfarë të pa pritura mund të na krijojë jeta politike, një gjë mbetët e sigurtë:
Kosova mbetet mbi të gjithë ne, dhe ajo është gjaku dhe sakrifica e shumë dëshmorëve dhe heronjve tanë të rënë për liri, pavarësi dhe demokraci që si falet askujt.