Hasani: Rezoluta për Srebrenicën mesazh që Perëndimi s’e duron mohimin e gjenocidit -Kosova në rastin më të mirë mund t’i dëshmojë vetëm krimet e luftës - Gazeta Express
string(129) "hasani-rezoluta-per-srbrenicen-mesazh-qe-perendimi-se-duron-me-mohimin-e-gjenocidit-kosova-mund-ti-deshmoje-vetem-krimet-e-luftes"

Lajme

Gazeta Express

13/04/2024 15:56

Hasani: Rezoluta për Srebrenicën mesazh që Perëndimi s’e duron mohimin e gjenocidit -Kosova në rastin më të mirë mund t’i dëshmojë vetëm krimet e luftës

Lajme

Gazeta Express

13/04/2024 15:56

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara pritet të miratojë një rezolutë me të cilën 11 korriku do të shpallet Ditë e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. Enver Hasani, Profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës në një intervistë për Gazetën Express thotë se efekti i kësaj rezolute do të jetë i madh në aspektin politik dhe moral dhe se me të u çohet mesazh “vendeve autoritare në Evropë dhe përtej saj, se kultura dhe civilizimi perëndimor nuk duron më mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kryesve të tij”

Duke folur për histerinë në Serbi dhe Republika Srpska ndaj kësaj nisme të Gjermanisë dhe Ruandës në OKB të mbështetur edhe nga vende tjera të fuqishme perëndimore, Hasani thotë se reagimet e M. Dodik dhe A. Vuciq duhen parë në dritën e mentalitetit aktual serb, ku ata shohin vetveten si viktimë e të tjerët si popuj viktimizues e gjenocidal. Sipas Hasanit ndodhë për faktin se Serbia s’ka kaluar në një proces denacifikimi sikur Gjermania pas Luftës së Dytë Botërore.

Lexo Edhe:

“Serbia nuk pranon t’i nënshtrohet një procesi të tillë dhe konsideron që Perëndimi ka faj për krejt fatkeqësinë e saj, ne veçanti për heqjen nga dora të Kosovës, të cilën ata e shohin dhe përjetojnë me terma metafizik. Këtu qëndron krejt problemi: serbët kanë kryer gjenocid kudo në ish-Jugosllavi dhe këtë e kanë bërë me emrin e Kosovës në gojë, Jerusalemin e tyre fiktiv. Në emër të këtij miti, ata sërish janë në gjendje të kryejnë krime e gjenocid, po u erdh rasti tillë. Prandaj Perëndimi po bën përpjekje që, përmes integrimit të Serbisë në strukturat euro-atlantike, në një afat të gjatë, të arrij denacifikimin e saj dhe modelimin e shoqërisë serbe sipas standardeve perëndimore te qeverisjes së mirë”, thekson ai.

Sipas Hasanit një rezolutë e tillë ka për qëllim edhe që  serbët të vijnë në vete “në raport me rolin e tyre në gjenocidin në Bosnje – Hercegovinë dhe për krimet tjera të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi” edhe pse një gjë e tillë  “nuk është një akt, por një proces i gjatë dhe si pjesë e integrimeve euro-atlantike të Serbisë”.

Duke komentuar rreth planeve për padi të Kosovës ndaj Serbisë, të cilën e ka aktualizuar Kryeministri Kurti që prej ardhjes në pushtet, Hasani insiston se Kosova mund të dëshmoj vetëm kryerjen e krimeve të luftës, jo edhe gjenocidin.

“Siç e kam thënë tri vite më herët, sërish më duhet të përsëris se ngritja e padisë për gjenocid kundër Serbisë do të përbënte favorin më të madh për Serbinë, për shkak se një padi e tillë është e gjykuar të dështoj. Kjo përbën një hap që sipas rregullit nuk do të duhej ta bënte një qeveri dhe një forcë politike sepse me te preket e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj” thotë ai.

“Për krimin e gjenocidit , edhe ato pak prova që kanë ekzistuar janë komprometuar dhe nuk mund të validohen në asnjë procedurë gjyqësore, kurse të provuarit e qëllimit special – apo dolus specialis, siç quhet ky element i figurës së veprës penale të gjenocidit –  përbën një mision të pamundur sepse ka pak gjasa që shtete perëndimore të ofrojnë përgjime ose prova të tjera që ngarkojnë qeverinë dhe shtetin serb për gjenocid”, shton Hasani.

Intervista e Plotë

Gazeta Express:  Ka një projekt-rezolutë  që po qarkullon për gjenocidin në Srebrenicë e që pritet të hedhet në votim në Asamblenë  e Përgjithshme të OKB-së muajin tjetër. Qëllimi saj është që me të të dënohet mohimi i gjenocidit, të dënohet lavdërimi i kriminelëve (serbë) etj. Në rast se ka vota të mjaftueshme dhe miratohet, cili do të ishte efekti i saj?

Hasani : Kjo përgjigje ka dy dimensione, dimensionin juridik dhe dimensionin politik dhe moral. Në aspektin e ngushtë juridik, rezolutat e Asamblesë së OKB nuk kanë fuqi juridike, me përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me çështje të rëndësisë së madhe që lidhen për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Në këto raste, rezolutat miratohen me dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Asamblesë. Ky nuk është rasti me draft-Rezolutën për shpalljen e 11 korrikut si ditë të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë. Për rrjedhojë, efekti i saj është politik dhe moral – si një mesazh për Shtetin e Bosnje-Hercegovinës, qytetarët e saj dhe viktimat e drejtpërdrejta të gjenocidit se bota nuk i ka harruar dhe nuk i harron masakrat dhe gjenocidin e kryer kundër tyre. Përtej këtij mesazhi, aspekt tjetër i rëndësishëm është edhe mesazhi për të ardhmen, që më kurrë mos të përsëritet një e keqe e tillë. Për këtë arsye, draft-Rezoluta ka dispozita për zotime konkrete të shteteve në sferën e edukimit dhe në sferat tjera, për të ndërmarr masa konkrete për edukimin dhe hulumtimin e krimit të gjenocidit në mënyrë që ai më të mos përsëritet. Përveç këtyre efekteve politike dhe morale, një rezolutë e tillë ka fuqi të madhe mobilizuese në bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që anëtarët e saj të kenë një orientim për veprim politik dhe ndërmarrjen e masave në raport me mohuesit eventual të gjenocidit në Srebrenicë.

Historia e rezolutave të Asamblesë së Përgjithshme të OKB tregon se në disa raste, përkundër efektit të kufizuar juridik në fillim të nxjerrjes së tyre, me kalimin e kohës ato janë bërë instrumente me fuqi juridike kolosale juridike, të njohura si norma jus cogens, zbatimi i të cilave nuk duron përjashtime, shmangie apo abrogim të tyre, pos përmes krijimit të normave me fuqi të njëjtë juridike. Të tilla janë, ta zëmë, Rezoluta koloniale e vitit 1970 dhe Rezoluta mbi marrëdhëniet miqësore në mes të shteteve e vitit 1970. Në sferën e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, e tillë është një rezolutë tjetër, e njohur si “Të bashkuar për paqe” (1950). Dy rezolutat e para kanë luajtur një rol tejet të madh në procesin e dekolonizimit, duke kthyer OKB-në në një mami për lindjen e shteteve të reja në Afrikë e Azi në vitet ’60 dhe ‘70 të shekullit të kaluar. Rezoluta “Të bashkuar për paqe”, megjithatë, ka pasur efekt më të kufizuar dhe ka shërbyer si një mjet presioni ndaj fuqive të mëdha, anëtarë të Këshillit të Sigurimit, për të luajtur rolin e tyre që u takon me Kartën e OKB sa i përket ruajtjes dhe promovimit të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Për t’u kthyer te pyetja juaj pak më drejtpërdrejtë, gjykoj se efekti i kësaj rezolute do të jetë i madh në aspektin politik dhe moral, sepse do të përçoj mesazh të qartë te vendet autoritare në Evropë dhe përtej saj, se kultura dhe civilizimi perëndimor nuk duron më mohimin e gjenocidit dhe glorifikimin e kryesve të tij. Kjo, thënë me fjalë të tjera, do të shërbej si një dallim i qartë në mes të kulturës dhe civilizimit perëndimor dhe pjesëve të tjera të globit në të cilat çështja e gjenocidit akoma merret si diçka që ndodh dhe mund të ndodhë pa asnjë ndëshkim.

Gazeta Express:  Sponsorë të rezolutës janë Gjermania dhe Ruanda. Çfarë simbolike përcjellë kjo dhe në përgjithësi çfarë mesazhi bart iniciativa për Serbinë dhe Republikën Srpska si dy vende ku mohohet gjenocidi i Srebrenicës i vërtetuar edhe nga GJND?

Hasani:  Simbolika është e qartë: Gjermania naziste ka qenë viktimizuese dhe kryese e gjenocidit, kurse Ruanda në periudhën prill – korrik 1994 ka qenë viktimë e gjenocidit brutal, në ndërkohë që OKB ka bërë sehir, duke zhgënjyer pritjet dhe shpresat e miliona ruandezëve dhe të mbarë botës se ajo nuk do të lejonte një gjë të tillë. Në dy rastet, megjithatë, bashkësia ndërkombëtare ka luajtur rol vendimtar në shërimin e plagëve të gjenocidit dhe të traumave njerëzore. Me bashkësi ndërkombëtare këtu nënkuptohet kryesisht bota perëndimore.

Në rastin gjerman, tejkalimi i situatës së gjenocidit është bërë përmes nxitjes dhe imponimit të një procesi që njihet si denacifikim: gjermanët e vitit 1945 nuk kanë qenë entuziastë për pranimin e gjenocidit të kryer në emër të tyre, prandaj ka pasur nevojë për imponim të këtij procesi nga ana e Perëndimit. Pjesë e këtij procesi ka qenë edhe Tribunali i Nurembergut,  i cili ka gjykuar kriminelët nazistë që kanë qenë individualisht përgjegjës për krimin e gjenocidit ndaj hebrenjve, romëve, sllavëve, personave me aftësi të kufizuara, komunitetit që sot e cilësojmë si LGBT Plus dhe grupeve të tjera të shënjuara si të padëshirueshme nga regjimi nazist i kohës. Denacifikimi ka qenë proces i thellë dhe ka përfshirë edhe riedukimin e rinisë përmes përpilimit të planeve dhe programeve të reja mësimore dhe për studim e hulumtim, përfshirë në rend të parë në raport me historinë gjermane dhe marrëdhënien e Gjermanisë me popujt tjerë.

Në rastin e Ruandës, përpjekjet për shërim të traumave të gjenocidit, gjithashtu  janë ndihmuar nga bota perëndimore përmes programeve zhvillimore, ndryshimit të planeve dhe programeve mësimore dhe studimore në raport me rolin dhe pozitën e kolonizatorëve dhe grupeve etnike Hutu dhe Tutsi si dhe perspektivës së vendit, përfshirë këtu raportin e tyre me fqinjët. Në dy rastet, vlen të ritheksohet fuqishëm se kanë qenë perëndimorët ata që kanë ndihmuar këto dy shtete për t’u transformuar dhe për të tejkaluar traumat nga gjenocidi. Po të ishte për OKB-në, në dy rastet nuk do ishte bërë asgjë. E njëjta vlen edhe për rastin e Srebrenicës dhe gjenocidit ndaj popullit dhe Shtetit të Bosnje-Hercegovinës: është bota perëndimore ajo që po i prinë procesit civilizues të pengimit të përsëritjes së gjenocidit përmes glorifikimit të kryesve të tij dhe të vetë veprës së tillë të shëmtuar.

Gazeta Express:  Në vitin 2015 ka ekzistuar një nismë që Këshilli i Sigurimit ta kalojë një rezolutë të tillë por ishte bllokuar nga paralajmërimi i Rusisë për veto. Cili është dallimi tash që atë e aprovon Asambleja, nëse ndodh kjo?

Hasani:  Sikur të ishte miratuar një rezolutë e tillë nga Këshilli i Sigurimit, ajo do ishte bërë në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB. Kjo do të thotë se zotimet eventuale të përmbajtura në atë rezolutë do të kishin pasur fuqi të detyrueshme me efekt të përgjithshëm ndaj krejt shteteve të botës. Shtetet, me fjalë të tjera, do të kishin qenë të detyruara të ndërmerrnin masat e kërkuara nga Këshilli Sigurimit, siç janë, ta zëmë, futja në plane dhe programe mësimore të dënimit të përpjekjeve për mohim të gjenocidit dhe glorifikim të kryesve të tij, caktimi i detyrueshëm i 11 korrikut si datë për përkujtim të gjenocidit në Srebernicë dhe kështu me radhë. Për moszbatim të detyrimeve të tilla, do të kishin pasuar sanksionet, të cilat Këshilli Sigurimit mund t’i ndërmerr çdoherë ndaj atyre shteteve që nuk zbatojnë urdhrat e tij të dhëna në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB. 

Gazeta Express:  Në draft-rezolutë nuk përmenden Serbia e as Republika Srpska, por ka një histeri në reagimet e Beogradit dhe Banja Llukës. Millorad Dodik, lideri i serbëve të Bosnje-Hercegovinës, të enjten nga Beogradi në “Vilën Paqja” e mohoi gjenocidin, kurse Aleksander Vuçiq po i konteston procedurat e votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ndërkohë që po ua përmendin gjenocidet shteteve të tjera, Turqisë gjenocidin armen, Gjermanisë gjenocidin nazist dhe kështu me radhë. Në fakt, Gjermanisë ia vejnë nën hundë edhe gjenocidin e kryer në Namibi në fillim të shek. ’20-të , duke e cilësuar si gjenocidin e parë modern, kurse Turqisë ia veshin si gjenocid krimet e kryera ndaj serbëve gjatë Perandorisë otomane. Si i shihni këto reagime?

Hasani:  Në Serbi, për fat të keq, ekziston një bindje e përgjithshme se ata janë viktimë e të tjerët viktimizues. Një kod i tillë mental ka ekzistuar edhe ndër gjermanët pas Luftës së Dytë Botërore. Në dy rastet, gjendja e tillë mentale ka qenë rezultat i indoktrinimit afatgjatë të popujve me ideologji të nacionalizmit ekstrem. Për dallim nga Gjermania, e cila iu nënshtrua një procesi të denacifikimit intensiv e sistematik, Serbia nuk ka pasur rastin të përfitoj nga një ndihmë e tillë e vendeve perëndimore. Po të mos ishte denacifikimi, Gjermania do të kishte qenë një vend i izoluar, primitiv dhe i copëtuar në mes vendeve perëndimore dhe Rusisë, kurse Evropa sot nuk do të ekzistonte në këtë pamje që e shohim. Serbia nuk pranon t’i nënshtrohet një procesi të tillë dhe konsideron që Perëndimi ka faj për krejt fatkeqësinë e saj, ne veçanti për heqjen nga dora të Kosovës, të cilën ata e shohin dhe përjetojnë me terma metafizik. Këtu qëndron krejt problemi: serbët kanë kryer gjenocid kudo në ish-Jugosllavi dhe këtë e kanë bërë me emrin e Kosovës në gojë, Jerusalemin e tyre fiktiv. Në emër të këtij miti, ata sërish janë në gjendje të kryejnë krime e gjenocid, po u erdh rasti tillë. Prandaj Perëndimi po bën përpjekje që, përmes integrimit të Serbisë në strukturat euro-atlantike, në një afat të gjatë, të arrij denacifikimin e saj dhe modelimin e shoqërisë serbe sipas standardeve perëndimore te qeverisjes së mirë. 

Reagimet aktuale të M. Dodik dhe A. Vuciq duhen parë në dritën e mentalitetit aktual serb, ku ata shohin vetveten si viktimë e të tjerët si popuj viktimizues e gjenocidal. Kështu kanë menduar edhe gjermanët mesatar në vitin 1945. Kështu kanë menduar pjesa dërrmuese e popullsisë Hutu, të cilët në mënyrë aktive morën pjesë në gjenocidin kundër komunitetit Tutsi në prill – korrik të vitit 1994. Pjesë e këtij indoktrinomi është edhe gjenerimi i arsenalit propagandistik përmes sulmit të popujve të tjerë, siç bëjnë liderët serb sot kur akuzon gjermanët, turqit, ruandezët dhe të tjerët për gjenocid. Serbët dhe liderët e tyre nuk kuptojnë se, fakti që vendet perëndimore dikur kanë kryer gjenocid, paraqet shtysën kryesore për të mos përsëritur kurrë një krim të tillë të shëmtuar dhe, për më tepër, për të mos lejuar të tjerët që të kryejnë krimin në fjalë brenda hapësirës politike e kulturore perëndimore. Këtë fakt një ditë një gjeneratë e serbëve do ta kuptoj. Nuk pres që kjo të bëhet nga A. Vuciq e M. Dodik dhe kjo gjeneratë e popullit serb, për shkak se nuk ka pasur një proces denacifikimi.

Gazeta Express:  Çka i  bie kjo rezolutë për Serbinë  dhe, po ta përdorim një terminologji të tyre, për  “botën serbe”, në aspektin juridik, politik dhe për imazhin e tyre?

Hasani:  Ardhja në vete e serbëve në raport me rolin e tyre në gjenocidin në Bosnje – Hercegovinë dhe për krimet tjera të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi nuk është një akt, por një proces i gjatë dhe si pjesë e integrimeve euro-atlantike të Serbisë. Serbia nuk mund të ketë alternativë tjetër pos botës euro-atlantike, për faktin e thjeshtë se kjo botë është perimetri me të cilin mbështillet ajo që serbët e cilësojnë si “bota serbe”.  Kjo botë serbe mund të realizohet vetëm brenda integrimeve euro-atlantike dhe për aq sa nuk bie ndesh me të. Në të kundërtën, ajo botë ngelet një atavizëm i pavlerë dhe pa asnjë peshë politike dhe tjetër.

Duhet thënë se rezoluta e propozuar nuk afekton serbët si komb. Ajo ka të bëj me shpalljen e një date me qëllim të përkujtimit të përhershëm të një tragjedie, ashtu që gjeneratat që vijnë të kuptojnë dhe edukohen në frymën anti-gjenocid dhe anti-dhunë. Në aspektin juridik, sigurisht që vendet sponsorizuese dhe vendet që votojnë për te, do t’i pranojnë si detyrime zotimet që dalin nga rezoluta. Thënë shkurt, politikisht nuk prek asnjëherë imazhin dhe peshën e kombit serb në Ballkan dhe më gjerë, kurse juridikisht dispozitat e rezolutës në fjalë, me siguri që bëhen pjesë e rendeve juridike të shteteve sponsorizuese si dhe të atyre që votojnë për te.

Sikundër dihet, Serbia është liruar nga faji për gjenocid, sepse Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007 ka gjetur se ajo nuk kishte përgjegjësi ndërkombëtare për krimin e gjenocidit në Srebrenicë dhe, për pasojë, nuk mund të detyrohej të paguante asnjë dëmshpërblim për gjenocidin në fjalë. Në të njëjtën kohë, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë kishte gjetur se, masakrat e 11 korrikut në Srebrenicë ishin kryer nga forcat e Republika Srpska dhe, si të tilla,  përbënin gjenocid.

Gazeta Express: Pati raportime se me këtë rezolutë Serbia do të shpallet shtet gjenocidal?

Hasani: Një shtet nuk mund të shpallet gjenocidal. Përgjegjësia për gjenocidin në Srebernicë nuk ka të bëj me Republikën e Serbisë, siç e ka konstatuar Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Krimet e kryera në Bosnje-Hercegovinë, përfshirë gjenocidin, janë krime individuale për të cilat janë dënuar me dhjetëra ushtarakë dhe civilë serbë nga Bosnje-Hercegovina. Duhen dalluar fuqishëm këto dy lloje të përgjegjësisë: asnjëherë nuk ka mundësi që një shtet të shpallet shtet gjenocidal. Ky është standard i të drejtës ndërkombëtare, që bazohet në dallimin në mes të përgjegjësisë së shtetit dhe përgjegjësisë penale individuale të bartësve të funksioneve shtetërore. Shteti përgjigjet për shkeljet e të drejtës ndërkombëtare, siç ka gjetur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastin e Serbisë më 1994, kur ka thënë se ajo ka shkelur dispozitat e Konventës së Gjenocidit, për shkak se nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar inkursionet dhe ndihmën serbëve të Bosnje-Hercegovinës për kryerjen e gjenocidit. GJND, pra, nuk ka thënë se Serbia është fajtore për gjenocid, për faktin e thjeshtë se shteti nuk mund të paraqitet në bankën e të akuzuarve dhe të dënohet penalisht. Kjo nënkupton që rezoluta në fjalë, pasi të miratohet, asnjëherë nuk mund të shërbej si bazë për ndonjë kompensim apo për ngritje të ndonjë padie kundër Serbisë për kompensim, as të prodhoj ndonjë pasojë tjetër për Serbinë dhe popullin serb.

Gazeta Express:  Në Kosovë është aktuale çështja e padisë për gjenocid ndaj Serbisë ose siç e tha Kryeministri Kurti “për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, e që janë krime luftime, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”. A mund të bëhet kjo dhe si?

Hasani:  Siç e kam thënë tri vite më herët, sërish më duhet të përsëris se ngritja e padisë për gjenocid kundër Serbisë do të përbënte favorin më të madh për Serbinë, për shkak se një padi e tillë është e gjykuar të dështoj. Kjo përbën një hap që sipas rregullit nuk do të duhej ta bënte një qeveri dhe një forcë politike sepse me te preket e ardhmja e Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Dështimi i padisë së tillë do të jetë që në start, sepse Kosova nuk mund të jetë paditës ngaqë nuk është anëtar i OKB dhe as palë në Konventën e Gjenocidit. Edhe sikur të ishte palë, apo edhe sikur një shtet i tretë të paraqiste një padi të tillë në vend të Kosovës, gjykimi i meritave të rastit do të ishte në dëm tonin sepse, në rastin më të mirë, Kosova mund të dëshmoj vetëm kryerjen e krimeve të luftës, jo edhe gjenocidin. Për krimin e gjenocidit , edhe ato pak prova që kanë ekzistuar janë komprometuar dhe nuk mund të validohen në asnjë procedurë gjyqësore, kurse të provuarit e qëllimit special – apo dolus specialis, siç quhet ky element i figurës së veprës penale të gjenocidit –  përbën një mision të pamundur sepse ka pak gjasa që shtete perëndimore të ofrojnë përgjime ose prova të tjera që ngarkojnë qeverinë dhe shtetin serb për gjenocid. Këtë e kanë bërë në rastin e Srebernicës, por vetëm në raport me përgjegjësinë penale ndërkombëtare, pra jo edhe në rastin padisë për shkelje të Konventës së Gjenocidit, që u përfundua më 2007. Në rastin e Kosovës, me fjalë të tjera, nuk ka pasur asnjë procedurë penale kundër lidershipit serb ku akuzat dhe aktgjykimi përfundimtar kanë qenë për gjenocid, siç ka qenë rasti me Srebrenicën dhe ushtarakëve serbë të Bosnje-Hercegovinës.  Për këto arsye, e përsëris, ngritja e padisë së tillë përbën aventurë dhe papërgjegjësi totale shtetërore dhe një shërbim kolosal që i bëhet Serbisë. Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të pastronte Serbinë sikur Pont Pilatin, e cila më pastaj do të fitonte një argument historik për mospërfshirje në gjenocidin e fundit në Kosovë. Kjo situatë ka ndodh me Bosnje – Hercegovinën (2006) dhe Kroacinë (2015). Për Kosovën në veçanti rasti i padisë së Bosnje-Hercegovinës është udhëzues i mirë: Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë më 2007 ka gjetur se ka pasur gjenocid në Srebrenicë, se Serbia ka shkelur nenin 1 të Konventës së Gjenocidit sepse nuk ka penguar gjenocidin në Srebrenicë, mirëpo nuk është provuar se gjenocidi në Srebrenicë nuk do të kishte ndodhur sikur Serbia të kishte provuar të pengonte një gjë të tillë; për rrjedhojë, kompensimi financiar për dështimin e pengimit të gjenocidit në Srebrenicë nuk është konsideruar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë si forma e duhur për kompensim.  /Gazeta Express/