Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një intervistë në emisionin “Betimi për Drejtësi”, foli për marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Lidhur me raportet Kosovë- SHBA ai tha se janë dy faktorë, i pari është strukturor që lidhet me gjendjen e përgjithshme të marrëdhënieve ndërkombëtare sot dhe rolin e Amerikës në to, dhe e dyta lidhet me profilin psikologjik dhe ideologjik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Marëdhëniet ndërkombëtare, Hasani tha se tash e sa vite janë në procesin e ridefinimit dhe se për këtë nevojiten dekada, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Hasani tha se Kurti “anti-amerikanizmin e ka bindje”. Tha se ai është anti-imperialist i ekstremit të majtë.
“Sa i përket profilit psikologjik dhe ideologjik do të thotë Albin Kurtin unë e kam përcjellë një kohë, kam pas edhe muhabet të afërt do të thosha për disa vite dhe e kam lexu, e kam përcjell dhe zoti Kurti është anti-imperialist i ekstremit të majtë me kuptim mbi të gjitha anti-amrikanizmin, e ka bindje. Do të thotë ai dhe një rreth i caktum i njerëzve që i njoh- literatura që lexojnë, diskursin që kane zhvillu dhe e zhvillojnë është do të thotë… se anti-imperializmi ka lloj-lloj rrymash ideologjike siç quhet ajo fryma Seatel”, thotë Hasani.
Sipas Hasanit, Kurti bindjet e veta i ka fshehur me qëllim që t’i ruajë votat.
“Por ky i takon rrymës së ekstremit të majtë që ndryshon sepse ajo është bindje dhe ai këtë vazhdon ta fshehë dhe e ka fshehur prej kohës që vjen në pushtet duke e ditur sentitmentin e përgjithshëm të popullit të Kosovës me qëllim ta ruajë votën. Politikisht kjo është jashtëzakonisht legjitime dhe deri ku të shkon – ecën, vazhdon dhe një moment e kupton që megjithatë edhe ideologjia i ka kufijtë e vet”, përfundoi Hasani.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese po ashtu foli edhe për dallimet në mes të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.
“Dallimi është si nata me ditë, do të thotë diametralisht i kundërt”, përshkroi Hasani.
Hasani për Rugovën tha se ishte intelektual.
“Rugova ka qenë intelektual do të thotë në krahasim me Kurtin, burrë i jashtëzakonshëm do të thotë i pakrahasueshëm. Po t’i lexosh veprat e tij, unë kam shkruar për një botim që tash është botuar nga Fondacioni Ibrahim Rugova për përfaqësimin politik të konceptit të tij tek vepra e “Refuzimit estetik”, fillimisht si shkrim e pastaj edhe si libër; është doktroina e Abatit e doktrinarëve liberal-racionale do të thosha të Revolucionit Francez ajo që më vonë është quajt Grupi i Kopetit dhe rrugëtimi i tij, specializimi i tij ta zë në Francë që është manifestuar çdo vepër të tij letrare e ka bë atë edhe një grup shumë të vogël në Prishtinë që të dallohet prej të gjithë atyre që e kanë kultivuar”, u shpreh Hasani.
Ndërsa për Kurtin, Hasani tha se ka formim të kufizuar të shkencave shoqërore.
“Ndërkohë që Kurti shihet qartë që ka formim të kufizuar të shkencave shoqërore. Shumë të kufizuar. Edhe ai diskurs, ajo dije që mund të shihet nga ne në aspektin, përgjithësisht po e marr normaliteti është më shumë pjesë që shpesh e them dije Wikipedike. Nuk është sistemike. Është dije që bëhet më shumë për me i impresionu të tjerët se sa që është dije e thellë. Po e fus aty se kam ni duke fol edhe për histori të artit edhe histori të Rilindjes që do të thotë janë shkenca që është dije shumë ma shumë e cektë”, përfundoi Hasani.
Ndër të tjera, ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, foli edhe për atë se si arriti Kosova në vitet ’90-ta pa shtet ta marrë mbështetjen e senatorit Bob Dole. Hasani e kishte quajtur senatorin Dole “Engjulli Gabriel” për shqiptarët e Kosovës.
“E kam quajtur “Engjulli Gabriel” për faktin se vizita e tij e përçoi një mesazh dhe tonet e murrën një mesazh. Ai përçoi një mesazh për Serbinë dhe popullin e Kosovës dhe një mesazh e mori lidershipi i Kosovës shumë serioz i asaj kohe. Ju e keni pa në qoftë se hyni në internet janë incizimet; ai thotë se a pajtoheni ju me këto që i dorëzoi Rugova, ndjesë pastë-dytë. Ai në emër të krejt intelektualeve, forcave politike-shoqërore-intelektuale të Kosovës parashtroi qëndrimin. Atëherë ishte Jugosllavia akoma pa u prishur dhe ai e dha një pozicion dhe i thoshte të gjithëve që përputhej me atë që i thotë si quhej ai komunisti që ishte guvernator i Kosovës—Trajkoviq. Trajkoviqin e kishte vendosur Millosheviqi me e prit dhe i tha se demokracia do të vjen në Kosovë deshët ose s’deshët. Ai thoshte me cinizëm ‘edhe ne jemi për demokraci’. I kemi dëgju ne ato “për sundim të ligjit” e do të thotë këndej dhuna ishte në maksimum. Ai mesazh ishte ky: që Kosova duhet të artikulojë që përputhet edhe me … që ma vonë i ka botu për shembull Warren Zimmermann ose James PardeW, ose Holbrooke, ose Medeleine Albright ose gjithë këta, ose Dioguard”, tha Hasani.
Derisa takimi po zhvillohej në Hotelin Grand, jashtë policia serbe mori një aksion për ta zmbrapsur masën.
Në mesin e protestuesve ishte edhe Faik Rexhepi që për dallim prej tjerëve s’luajti vendi, duke mundësuar realizimin e një fotografie epike për t’u skalitur përgjithmonë në vepër arti si histori për brezat e rinj. Senatori Dole doli jashtë për t’i parë me sytë e tij këto skena dhune që po i bënte regjimi i Millosheviqit.
Bob Dole, atëkohë një prej figurave më të mëdha në Partinë Republikane, garoi në zgjedhje presidenciale të vitit 1996 kundër William Jefferson Clinton, edhe ky një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës, i njohur si Bill Clinton.
Por si arriti Kosova pa institucione të njohura zyrtarisht të marrë mbështetje nga dy kandidatët për president në Amerikë?
Ndërsa sot, me ambasadë në Uashington, Kosova gjendet nën sanksione dhe penalizohet nga Amerika duke pezulluar dialogun strategjik, si pasojë e veprimeve të Qeverisë Kurti.
Derisa gra shtatzëna, burra, fëmijë e pleq po masakroheshin. Por, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës u organizua konferenca e famshme e Rambujesë, për t’i dhënë fund luftës në Kosovë.
Delegacioni shqiptar ishte i përçarë për shkak të marrëveshjes së propozuar në tavolinë që përfshinte autonomi të gjerë për Kosovën, por jo pavarësi.
Kundër kësaj marrëveshje ishte drejtori politik i UÇK-së atëkohë, Hashim Thaçi, që u largua në shenjë proteste nga kështjella e Rambujesë dhe bëri që diplomatët perëndimorë të kuptonin se pa UÇK-në në tavolinë, marrëveshja nuk kishte legjitimitet.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, tregoi pse Thaçi u largua nga Kështjella e Rambujesë.
“Zoti Thaçi iku për shkak se ai nuk ishte vetvetja. Do të thotë ishte e thjeshtë ajo punë. Komandant e shihni edhe dëshmitë në Hagë që kanë qenë akterët, por real qashtu ka qenë. Sepse unë e kam pa se s’guxonte për shkak se kishte prej zotit Demaçi ndjesë pastë e prej tjerëve që nuk duhej të pranonte kurrgjë jashtë pavarësisë dhe ajo është arsyeja që ai ka shkuar atje për me e gjetë një konsensus. Dhe ajo ka qenë arsyeja pse në parim është pranu në Paris për me e ba një konsultim me komandantët e zonave”, tha Hasani.
Kujtojmë se më 12 shtator, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, njoftoi për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të kryeministrit Albin Kurti.
Për më shumë, më poshtë gjendet intervista e plotë e Hasanit e dhënë për emisionin “Betimi për Drejtësi”.