Hasani: Avni Deharit është dashur t’i merret e drejta për kryesimin e seancës - Gazeta Express
string(75) "hasani-avni-deharit-eshte-dashur-ti-merret-e-drejta-per-kryesimin-e-seances"

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 18:13

Hasani: Avni Deharit është dashur t’i merret e drejta për kryesimin e seancës

Lajme

Gazeta Express

18/08/2025 18:13

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se aktgjykimi i sotëm, në tërësinë e tij, është i qartë, koherent me atë të datës 26 qershor dhe me dispozitivin e shpallur disa ditë më parë. Hasani në një intervistë për KosovaPress deklaroi se pas një arsyetimi kaq bindës të Gjykata Kushtetuese dhe gjerësisht të argumentuar ‘është dashur t’i merret e drejta deputetit, Avni Dehari për të drejtuar seancën konstituive’.

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e plotë për ngërçin politik ka vlerësuar se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari nga 27 qershor deri më 26 korrik të këtij viti, ka tejkaluar kompetencat formale dhe solemne me rendin e ditës të seancës.

Hasani beson se aktgjykimi i sotëm i Kushtetueses për ngërçin politik i hap rrugë formimit të institucioneve të reja.

KosovaPress: Si e shihni aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për ngërçin politik? Cilat janë risitë?

Hasani: Aktgjykimi i sotëm, në tërësinë e tij, është jashtëzakonisht i qartë, koherent me atë të datës 26 qershor dhe me dispozitivin e shpallur disa ditë më parë. Mund të them se sjell risi në disa drejtime: së pari, së bashku me të parin përbën një tërësi, çka është vazhdimësi e aktgjykimit të parë. Së dyti, ruan definicionin e grupit më të madh parlamentar, ashtu siç përcaktohet me nenin 67.1 të Kushtetutës dhe me aktgjykimin e vitit 2014. Së fundi, për herë të parë vë në dukje se Kushtetuta e Kosovës mund të shkelet edhe nga akterë të tjerë, përveç atyre të përcaktuar shprehimisht nga Kushtetuta, siç është Presidenti i Republikës, por pa caktuar sanksione për shkeljet e tilla. Mbetet të shihet nëse në të ardhmen Gjykata do të detyrohet të caktojë sanksione kushtetuese për moszbatim të vendimeve të saj ose për shkelje të Kushtetutës, normave dhe frymës së saj.

KosovaPress: Sipas aktgjykimit të plotë sërish nuk parashihen pasoja juridike në rast të moszbatimit të vendimit. Cilat janë problemet që mund të shkaktojë kjo?

Hasani: Nuk ka pasur nevojë të caktohet pasojë juridike nëse nuk bëhet konstituimi pas skadimit të afatit tridhjetëditor, sepse Gjykata me këtë aktgjykim – që sqaron dhe implementon edhe aktgjykimin e datës 26 qershor 2025 – e ka bërë të qartë se Kuvendi i Kosovës duhet të konstituohet dhe se afati 30-ditor nuk rrjedh, përderisa nuk vjen deri te konstituimi dhe deri sa vazhdon gjendja jokushtetuese. Kalimi i afatit prej 30 ditësh pa konstituim të Kuvendit të Kosovës ka për pasojë vazhdimin e gjendjes jokushtetuese dhe detyrimin e Gjykatës Kushtetuese që sërish të prononcohet lidhur me atë nëse e drejta e partisë (apo koalicionit) së parë në zgjedhje, ose grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet, për propozim të kandidatit për kryetar të Kuvendit kalon te të tjerët. U mor vesh, nëse për këtë ushtrohet kërkesë mga mjë palë e autprizuar nga neni 113 i Kushtetutës së Kosovës. Gjykuar sipas arsyetimit që sot u bë publik, e drejta e propozimit të kandidatit nga neni 67.1 i Kushtetutës nuk mund të nënkuptojë të drejtën për bllokim. Për rrjedhojë, nëse Gjykata detyrohet sërish të vendosë për çështjen e moskonstituimit të Kuvendit, kjo e drejtë do të kalojë te të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, sepse të gjithë i mban përgjegjës për moskonstituim. Zgjidhje tjetër nuk ka, nisur nga fakti se në zgjedhje nuk mund të shkohet në asnjë rrethanë deri sa të bëhet konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

KosovaPress: Meqenëse ka vlerësuar se kryesuesi i seancës konstituive Avni Dehari ka bërë shkelje kushtetuese, a është dashur që Kushtetuesja t’ia marrë të njëjtit të drejtën e udhëheqjes të seancës?

Hasani: Po. Pas një arsyetimi kaq bindës dhe gjerësisht të argumentuar, mendoj se është dashur t’i merret e drejta z. Avni Dehari për të drejtuar seancën konstituive. Sidoqoftë, mendoj se vetë z. Dehari duhet të reflektojë për moshën që ka dhe të tërhiqet vetë nga drejtimi i mëtejmë i seancës, meqë aktgjykimi e bën qartë atë përgjegjësin e vetëm për bllokadën e deritanishme dhe anarkinë e shkaktuar në Kuvend. Deri më sot ai mund të mos e ketë ditur këtë fakt historik; tani që e ka të qartë, gjykoj se duhet të mbledhë kurajo dhe forcë morale për t’u larguar nga posti i drejtuesit, si shenjë e brerjes së ndërgjegjes për veprimet e tij thellësisht antikushtetuese.

KosovaPress: Aktgjykimi i sotëm, sa i hap rrugë krijimit të institucioneve?

Hasani: Po. Arsyetimi i aktgjykimit, në mënyrë të qartë, reflekton pjesën operative. Kjo e fundit, pjesa operative apo dispozitivi, nuk lë asnjë dykuptimësi lidhur me detyrimet e partisë (ose koalicionit) fitues – si grupi më i madh parlamentar në kuptim të nenit 67.1 të Kushtetutës dhe aktgjykimit të vitit 2014 – për t’i prirë procesit të konstituimit të Kuvendit, sipas skenarit të paracaktuar më 8 prill 2025. Për më tepër, me këtë aktgjykim, Gjykata ka vënë në dukje edhe detyrimin për lojalitet institucional dhe marrëveshjes politike, si kushte thelbësore për krijimin e institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues. Tani e tutje, moszbatimi ose obstruksioni në zbatim do të jetë edhe më i qartë për të gjithë, sepse Gjykata ka rrumbullakuar disa parametra kushtetues të qartë, në të cilët ankorohet përgjegjësia individuale dhe partiake për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Deputetët e shpërfillën një aktgjykim të mëhershëm të Kushtetueses të 26 qershorit, e cila pati kërkuar konstituimin e legjislaturës së nëntë brenda 30 ditësh. Por, gjykata nuk pati treguar se cilat do të jenë pasojat e mos zbatimit të këtij aktgjykimi.

Kosova është futur në krizë politike pasi nuk ka arritur të formojë institucionet e reja që prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt.

Procesi ka ngecur te votimi për kryetar të kuvendit, pozitë për të cilën Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiun por, ajo nuk ka marrë 61 votat e nevojshme.