Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, tha se bashkë me partnerë të tjerë ndërkombëtarë i ndajnë shqetësimet për veprimet e Qeverisë Kurti në veri gjatë muajve të fundit.
Ai tha se brengë e ka edhe kur dëgjon njerëzit të vënë në pikëpyetje themelin e shtetit të Kosovës që mbështetet në Planin e Ahtisaarit, duke e potencuar se ndihmën ndaj Kosovës Mbretëria e Bashkuar e bën pikërisht mbi këtë themel.
“I kemi disa shqetësime, që i ndajmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. I përmenda disa prej këtyre shqetësimeve për gjuhën ndaj Gjykatës Kushtetuese. I kemi thënë publikisht. E kam thënë publikisht se jam i shqetësuar për disa prej veprimeve që janë ndërmarrë, veçanërisht në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit, të cilat nuk janë bërë në konsultim të mirëfilltë me komunitetet e prekura dhe të cilat kanë nxitur frikë dhe paqëndrueshmëri në këto komunitete. Brengosem kur dëgjoj njerëzit duke vënë në pikëpyetje themelin e këtij shteti, i cili, nga këndvështrimi ynë, mbështetet në Planin e Ahtisaarit, siç pasqyrohet në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutë; i cili formon lidhjen themelore ndërmjet vendeve tona, sepse pikërisht mbi këtë themel ne e mbështetëm ndihmën tonë thelbësore që Kosova të fitonte njohje nga mbi 100 vende”, tha ai në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Derisa Kosova është nën sanksione të BE-së dhe së fundi u ndëshkua nga SHBA me pezullim të Dialogut të planifikuar Strategjik, ambasadori britanik u pyet mbi marrëdhëniet që Kosova ka me Mbretërinë e Bashkuar, e cila s’ka marrë ndonjë masë konkrete sikurse dy partneret tjera.
“Unë ndodhem në këtë vend që 18 muaj. Jam tejet i privilegjuar që ndodhem këtu, në këtë rol, si ambasador britanik. Gjëja e parë që më ka lënë përshtypje, në pothuajse çdo takim që kam zhvilluar gjatë kohës time këtu, është thellësia dhe ngrohtësia e marrëdhënies ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e cila, siç e dini, daton nga viti 1999, kur trupat britanike ishin ndër të parat që erdhën si pjesë e operacionit të NATO-s. Më 2008, Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës. Kemi bashkëpunuar gjatë dhe thellësisht për sigurinë, dhe ne besojmë se Kosova duhet të jetë dhe është vend i pavarur dhe sovran. Prandaj, mendoj se marrëdhënia mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Kosovës i ka rrënjët shumë të forta, dhe ne jemi shumë krenarë për këtë e vazhdojmë të jemi, dhe do të vazhdojmë kësisoj”, tha ai./Express/