Ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, pas vizitës së tij në veri të vendit, ka vizituar edhe vendvotime në komunën e Drenasit për të parë procesin zgjedhor.
Ai tha se janë të lumtur që po shohin njerëz duke e shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë atyre me të drejtë vote që të dilnin e të zgjidhnin përfaqësuesit e tyre nëpër komuna.
“Ndalesa jonë e radhës ishte në Drenas, të lumtur që më shumë njerëz po dalin për të votuar pasdite. Shpresoj që të gjithë kosovarët do ta përdorin të drejtën e tyre për të votuar dhe për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre lokalë komunalë”.
Hargreaves më herët tha se ka vizituar disa qendra të votimit në Mitrovicë të Veriut dhe në Zveçan.
“Është e mrekullueshme t’i shohësh njerëzit duke marrë pjesë në këto zgjedhje shumë të rëndësishme për Kosovën, njerëz që e shprehin vullnetin se kush do t’i përfaqësojë ata për çështjet që i shqetësojnë më së shumti në jetën e përditshme”, kishte thënë ai./Express/