Haradinaj: Vuçiq, mohuesi i masakrës së Reçakut që po favorizohet nga BE urren patologjikisht shqiptarët


Gazeta Express
5 Dhjetor 2019 18:30

Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka reaguar pas deklaratave të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se masakra e Reçakut është fabrikuar dhe se gjithçka është falsifikuar nga siç tha “mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, raporton Express.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se ky qëndrim i Vuçiqit dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale e të trashëguar nga koha e Millosheviqit.

“Urrejtja patologjike e Vuçiqit ndaj shqiptarëve, po dëshmohet edhe me deklarimin e tij të fundit, se masakra e Reçakut e cila tronditi mbarë botën në vitin 1999 është e fabrikuar. Ky qëndrim dëshmon qartë se Serbia edhe në formë institucionale e ruan paturpësisht mendësinë kriminale e të trashëguar nga koha e Millosheviqit”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja, “duke kontaminuar kështu të ardhmen e tyre dhe duke zvogëluar shanset për paqe dhe pajtim në rajon”.

Ndryshe, Vuçiq e ka quajtur “të tmerrshme” atë që Ivan Todosijeviq është dënuar me dy vjet burg, sepse ka thënë se krimi në Reçak ”është trilluar”.

Me këtë rast Vuçiq ka pretenduar se edhe ai vetë thotë se ky krim “është fabrikuar” dhe ka pyetur a do ta dënojnë për këtë.

“Të gjithë anëtarët e Listës Serbe do të përsërisin të njëjtën, edhe unë e përsëris tani – krimi në Reçak është fabrikuar, ku gjithçka ka falsifikuar ai mashtruesi botëror, hajni dhe vagabondi William Walker”, ka thënë Vuçiq duke i kopjuar fjalë për fjalë pretendimet e ish-shefit të tij dhe kriminelit të luftës Vojisllav Sheshel, të cilit para 20 vjetëve i shërbente birra nëpër mbledhje./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart