Haradinaj në takim me Osmanin, Presidenca publikon fotografinë - Gazeta Express
string(61) "haradinaj-ne-takim-me-osmanin-presidenca-publikon-fotografine"

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 16:35

Haradinaj në takim me Osmanin, Presidenca publikon fotografinë

Lajme

Gazeta Express

02/07/2025 16:35

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, aktualisht është në takim me presidenten Vjosa Osmani në Presidencë.

Haradinaj është mysafiri i fundit për sot në zyrën e Osmanit, e cila priti liderët partiakë të shumicës shqiptare në Kuvend për të diskutuar daljen nga kriza në të cilën është futur Kuvendi, i cili edhe në përpjekjen e 40-të nuk arriti të konstituohej.

Takimet te Osmani nisën nga ora 10:00 kur në Presidencë arriti kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Një ndërprerje e takimeve me liderë u bë për shkak të takimit që pati Osmani me të ngarkuarën e ambasadës së SHBA-së në Kosovë, Anu Pratipatti.

Pas saj, në Presidencë shkoi kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe më pas ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Në deklarimet për media, liderët partiakë nuk dhanë shenja për lëvizje nga qëndrimet e tyre.

Ndërkaq, nesër në zyrën e Osmanit do të shkojnë krerët e partive nga komunitetet joshumicë në Kuvend.

Ndryshe nga sot që takimet Osmani i zhvilloi ndaras, më 15 maj ajo kishte organizuar një takim të përbashkët me krerët e partive, por i cili nuk dha ndonjë rezultat në terren.

Takimet e sotme po mbahen pas aktgjykimit që nxori Gjykata Kushtetuese, e cila obligoi deputetët që të konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh./Express/