Ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, ka shprehur mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në mbrojtje të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, duke bërë thirrje për respektimin e të drejtës kushtetuese për përdorimin e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka njoftuar mbështetjen për protestën që do të mbahet nesër në ora 14:00 në Prishtinë, duke theksuar se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe është themelore dhe e garantuar me Kushtetutë.
“E drejta themelore për përdorimin e gjuhës shqipe, e garantuar me Kushtetutë, është e pacenueshme dhe nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga askush. Çdo përpjekje për ta cenuar atë përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore”, ka shkruar Haradinaj.
Ai po ashtu ka theksuar se qëndron krah studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke i cilësuar kërkesat e tyre si të drejta dhe legjitime.
“Jemi krah studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, në kërkesat e tyre të drejta dhe legjitime”, ka deklaruar Haradinaj.