Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me ngërçin institucional të krijuar mbi dy muaj duke kërkuar reflektim dhe veprim të menjëhershëm për tejkalimin e situatës.
Sipas tij, vendi nuk mund të mbahet peng për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme për kandidaturën e Albulena Haxhiut në Kuvend.
“Është e drejtë me kandidu, por nëse se merr votën, Gjykata duhet të reflektojë. Kandidatja në fjalë është nxjerrë disa herë në votim dhe ka dështu. Kosova po ndëshkohet” deklaroi Haradinaj.
Ai theksoi se nuk është normale që kjo situatë të trajtohet si e zakonshme dhe u bëri thirrje partive opozitare që të ndërmarrin veprime më konkrete për të dalë nga kriza.
“Duhet të shqyrtojmë çfarëdo mundësie që të dalim nga kjo gjendje. Nuk është mirë me u sjell sikur s’po ndodh kurgjo. Opozita duhet me qenë proaktive, me ballafaqu mashtruesin dhe ekipin e tij, nuk lejohet me u mbajt peng vendi në këtë mënyrë,” u shpreh lideri i AAK-së.