Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe mbi të gjitha varet nga një marrëveshje midis partive politike, thotë kryetari i Kuvendit Afrim Gashi. Pyetja e iu bë sot në kontekstin e iniciativës së Gjykatës Kushtetuese për të futur institutin e padisë kushtetuese, e cila u diskutua këtë javë në tryezë të rrumbullakët në ambientet e Gjykatës. Pa komentuar më tej, Gashi thotë se ua lë partive politike të vendosin se kur është e nevojshme ta bëjnë këtë dhe për cilat çështje, transmeton Portalb.mk.
“Hapja e Kushtetutës është një çështje e ndjeshme dhe mbi të gjitha çështje marrëveshjeje midis partive politike, dhe ju e dini që në Kuvend dy të tretat e deputetëve duhet të bien dakord për hapjen e Kushtetutës. Unë nuk do të komentoja, dhe do t’ua lija partive politike të vendosin se kur është e nevojshme ta bëjnë këtë dhe për cilat çështje”, tha kryetari i Kuvendit.
Ndër të pranishmit në tryezën e rrumbullakët që mbajtën fjalimet e tyre ishte edhe kryeministri Hristijan Mickoski, i cili tha se duhet të futet instituti i ankesës kushtetuese, por që kjo të zbatohet, së pari nevojiten ndryshime në Kushtetutë, për të cilat, siç tha ai, aktualisht nuk ka kushte politike.
Me të u pajtua edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili ishte organizator i eventit.
“Pra, nevojitet një bazë kushtetuese për një ligj të tillë që do të miratohet me shumicë prej dy të tretash, dhe nevojiten ndryshime kushtetuese për të futur ankesën kushtetuese, por siç tha kryeministri, në vendin tonë, hapja e Kushtetutës është gjithmonë një çështje dhe temë e ndjeshme, dhe për këtë arsye përfundimi, sipas mendimit tim, është se kur të krijohen kushtet, atëherë do t’i qasemi një reforme të tillë institucionale”, tha Kostadinovski.
Kur u pyet nga një gazetar se çfarë do të thotë të krijosh kushte, kryeministri Mickoski u përgjigj, duke theksuar se ndryshimi i Kushtetutës është një temë politike, që në këtë rast i referohet një teme ligjore, pra, siç tha ai, nevojës që Gjykata Kushtetuese të fitojë më në fund peshën e saj në vetë Kushtetutë.
Përndryshe, ndryshimet kushtetuese përmenden më shpesh në kontekstin e ndryshimeve për përfshirjen e bullgarëve në Preambulën e Kushtetutës, që është një kusht që vendi të fillojë negociatat sipas kapitujve dhe grupeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Gashi u pyet sot edhe për qëndrimin e tij për një çështje tjetër që lidhet me Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, që është futja e votimit me të ashtuquajturën shumicë Badinter në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas Kryetarit të Kuvendit, kjo çështje nuk duhet të jetë një temë tabu dhe duhet të diskutohet nga dy aspekte – njëri politik dhe tjetri profesional.
“Para së gjithash, duhet të kemi parasysh faktin se Gjykata Kushtetuese duhet të luajë rolin e saj siç përcaktohet në Kushtetutë, që është mbrojtja e Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë së miratimit të ligjeve në vend. Prandaj, nuk duhet të kemi paragjykime ndaj temave që çojnë në vendimmarrje cilësore, por mbi të gjitha, duhet të kemi parasysh se çfarë lloj Gjykate Kushtetuese do të kemi dhe se ajo duhet të jetë në pozicionin më të mirë të mundshëm për të vendosur në lidhje me mbrojtjen e Kushtetutës dhe kushtetutshmërisë së miratimit të ligjeve në vend”, tha Gashi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari.
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, kur u pyet për Badinterin në Gjykatë të martën, tha se ai tashmë e kishte shprehur qëndrimin e tij, duke deklaruar se beson se është më mirë të mbyllet institucioni sesa të futet një mekanizëm i tillë.
“Një mekanizëm i tillë është i përshtatshëm për organe politike si Parlamenti dhe është një mekanizëm i shëndoshë. Megjithatë, në një institucion si Gjykata Kushtetuese, e cila është një institucion thjesht ligjor, futja e një mekanizmi, mund të kem qenë brutal, por kam thënë se është më mirë të mbyllet institucioni sesa të futet një mekanizëm i tillë. Pse? Sepse në atë rast, argumentet kushtetuese-juridike nuk do të vendosin, do të vendosin një lloj tjetër argumentesh”, tha Kostadinovski.
Kur jemi te ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë këto ndryshimet për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.
tag_katrorimaqedoni_2
Reisebüro Prishtina ofron shërbime të sigurta, të shpejta dhe të besueshme, duke mbetur zgjedhja kryesore për ata që udhëtojnë nga...