Shqipëria do të mbajë më 16 shtator Konferencën e gjashtë Ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, ku do të hapen edhe 4 kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim.
Ministrja e propozuar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali e vlerësoi këtë konferencë si një tjetër moment të rëndësishëm në kalendarin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt Evropës.
Spiropali theksoi se “Presidenca Daneze e BE-se ka përcjellë ftesën për hapjen e 4 kapitujve të tjerë të negociatave për anëtarësim, të martën e 16 shtatorit, me fokus Agjendën e Gjelbër dhe Ndërlidhjen e Qëndrueshme”.
“Kjo tryezë, që pason hapjen e 24 kapitujve të mëparshëm nga Shqipëria rikonfirmon ritmin e paprecedentë me të cilin vendi është investuar në procesin e negociatave”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.
Spiropali u shpreh se, “Shqipëria 2030 nuk është thjesht një objektiv ambicioz, por plani real e konkret i një skuadre që kërkon të ulet me dinjitet në zemër të Evropës”.