Hapet sot ekspozita “Udhët që më njohin” në GKK - Gazeta Express
string(45) "hapet-sot-ekspozita-udhet-qe-me-njohin-ne-gkk"

Arte

Gazeta Express

17/07/2024 13:57

Hapet sot ekspozita “Udhët që më njohin” në GKK

Arte

Gazeta Express

17/07/2024 13:57

Sot në Galerinë Kombëtare të Kosovës do të hapet ekspozita personale, “Udhët që më njohin” e artistit Rron Qena, kuruar nga Lulzim Zeqiri.

Filozofisë së tij artistike Rron Qena i rri gjithmonë pranë, duke e formuar nga afër karakterin bashkë me veprat e tij. Nga ky qëndrim ai përsosë stilin e shprehjes figurative dhe qasjes së tij origjinale në pikturë. Akti krijues brenda kornizës së pëlhurës, nëpërmjet tregimit të guximshëm personal synon thellësitë e përjetimit, si përvojë, si kujtesë, si ftesë për komunikim ndërnjerëzor. Muza e tij mbetet gjithmonë bindja e tij për të bukurën, si model nga i cili nuk i shmangë sytë.

Kapjet e momenteve plotë jetë të pamjeve të lagjeve, të këndeve të qyteteve, portretet me dedikime të njerëzve të dashur, janë apriori vrojtime dhe përceptime të potencialit frymëzues në ambientin që e rrethon deri sa të shkëndijë magjia e frymëzimit. Është reflektimi elokuent karshi motivit dhe elementeve të cilat e bëjnë peisazhin urban, apo pasqyrojnë psikologjinë e portretit në punimet e tij. Ky observim i kujdesshëm i marrëdhënies së gjatë me hapësirën dhe kohën e forcon intuitën e tij krijuese kudo që ai gjendet. Qasja me qëllim njohje dhe studimi më të thellë të gjuhës së ngjyrave, evoluon në mjeshtëri pikturimi dhe e përbën sintaksën vizuele të pikturës së tij. 

Rrugët e Prishtinës, Berlinit, Shkodrës, Bremenit, nuancë pas nuance shtrohen në pëlhurën e tij, për të na shpier në një gjeografi që nuk vijëzon kufi, e cila na merr me vete në udhëtim për të parë dhe ndjerë forcën e imagjinatës dhe pasurinë e botës së artistit. Në këto udhëkryqe lagjesh e metropolesh përparësi merr fryma e njeriut të lirë, njeriu i cili mezi shihet në labirinthin e qytetit, në mes makinave dhe kaosit, por që e dijmë se diku pas fasadave apo nën hije të parqeve ai vazhdon të shkruaj fatin e tij. Këtij njeriu të lirë pikturat e Rron Qenës i japin shpirt bohemi dhe e nxjerrin jashtë mbrëmjeve të dal me shokët, të hapërojnë të dehur nën ritmin e perkusioneve, udhëve dhe vendeve ku emërtimet nuk kanë rëndësi. 

Kuruar nga Lulzim Zeqiri. 

Biografia 

Rron Qena (l. 1979) jeton dhe punon ndërmjet Prishtinë, Kosovë dhe Bremen, Gjermani. Lidhja e Qenës me pikturën fillon nga marrëdhënia e ngushtë me babain e tij, Agim Qena, karikaturist i njohur në Kosovë. Puna e tij eksploron thjeshtësinë e jetës, izolimin, çështjet globale dhe sociale, si dhe bukurinë. Një nga seritë e tij më të hershme në vitet 1990, e titulluar “Gjumi”, përfshinë skicimin dhe analizimin e anëtarëve më të afërt të familjes së tij ndërsa ata flinin; në thelb është ka kapjen e ëndrrave të tyre përmes pikturës. Në fillim të viteve 2000, vetë akti i pikturës u bë qendror për Qenën, duke çuar në krijimin e ciklit My Confusion is Oh So Clear, frymëzuar nga muzikanti Tom Waits. Kjo periudhë u karakterizua nga përqendrimi në proces dhe jo në temë, duke rezultuar në vepra që karakterizohen nga një ndjenjë pështjellimi. Një cikël tjetër domethënës Fading City, trajton çështjen e ndotjes së ajrit në Kosovë, me piktura që zbehen gradualisht, duke shtruar pyetjen: Çfarë mbetet kur ngjyrat fillojnë të zhduken? 

Cikli i Qenës Behind the Walls merr frymëzim nga muret e larta dhe shumëngjyrëshe të shtëpive në Shkodër, Shqipëri, të cilat ngjajnë me pikturat e afreskut. Ky cikël thellohet në temat e izolimit, mbylljes dhe kuriozitetit për atë që fshihet mbrapa këtyre barrierave. Rron Qena i lidh këto vepra me historinë e Shkodrës dhe izolimin e Kosovës. Praktika e tij e gjerë 

artistike përfshin edhe vepra të shumta që nuk i përkasin asnjë cikli. Ato janë rezultat i përvojave personale dhe interesit kërkimor. Në këtë fushë të gjerë, ka vepra që eksplorojnë natyrën dhe karakterin njerëzor përmes portreteve, trajtojnë peizazhet në mënyrë poetike si motiv universal dhe shfaqin me guxim mjeshtërinë e vizatimit si një pasion dhe rrëfim personal. Disa nga ekspozitat e tij përfshijnë Gjumi, Galeria Rizoma, Prishtinë, Kosovë 2006, Tears of Europe, Galerie Ardes, Berlin, 2011, Rron Qena në Paris Coffee Gallery Rouge, Paris, 2012, Bremen persönlich, PiB, Bremen, 2023 etj. 

Ekspozita hapet nga ora 19:00.