Hapet ekspozita “Flakadanët e lirisë” - Gazeta Express

Arte

Gazeta Express

06/03/2020 1:18

Hapet ekspozita “Flakadanët e lirisë”

Arte

Gazeta Express

06/03/2020 1:18

Në ditën e parë të Epopesë së UÇK-së është hapur ekspozita “Flakadanët e lirisë” e autorit Besart Gashi, e cila paraqet portrete të dëshmorëve të gdhendura në dru.

Autori Besart Gashi, tha se e veçanta e kësaj ekspozite është se do të punojë portretin e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, përgjatë tri ditëve të shënimit të “Epopesë së UÇK-së” dhe kjo vepër do të mbetet pjesë e Muzeut Kombëtar.

Ai tregoi se në këtë ekspozitë ka punuar rreth 4 muaj dhe se të gjitha punimet janë të bëra me daltë në dru.

“Sot, për nder të 22-vjetorit të rënies së familjes Jashari, hapa një ekspozitë me motive kombëtare në Muzeun Kombëtar. Jam i lumtur që pata mundësinë të bëjë një ekspozitë të tillë, që t’i paraqesë figurat më emblematike të kombit shqiptar. E veçanta e saj është kjo pikturë mbrapa meje që do të punohet tri ditë si shenjë simbolike që ka zgjatur tri ditë beteja e Jasharajve. Ajo do të punohet deri më 7 mars dhe do të jetë në Muzeun Kombëtar të Kosovës. Të gjitha janë të punuara me daltë në dru, kjo do kohë, përkushtim dhe mund. Kam punuar katër muaj për këtë ekspozitë”, tha ai.

Gashi tha se me komandantin legjendar Adem Jashari në Prekaz nis lufta për lirinë e Kosovës, e kjo është arsyeja se pse ai ka vendosur ta punojë portretin e tij.

“Adem Jashari është nderi i kombit shqiptar. Mos të kishte qenë Adem Jashari ne sot nuk do të ishim të lirë. Aty ishte pikënisja e lirisë së Kosovës, aty është gurthemeli i lirisë së Kosovës dhe për atë arsye edhe e punoj”, tha Gashi.

Ekspozita do të jetë e hapur deri me 7 mars, kur edhe përfundon manifestimi i Epopesë së lavdishme të UÇK-së. /KosovaPress/