Hapeni gojën! Inteligjenca artificiale zbulon diabetin dhe kancerin e stomakut vetëm nga ngjyra e gjuhës - Gazeta Express
string(103) "hapeni-gojen-inteligjenca-artificiale-zbulon-diabetin-dhe-kancerin-e-stomakut-vetem-nga-ngjyra-e-gjuhes"

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

06/01/2026 20:03

Hapeni gojën! Inteligjenca artificiale zbulon diabetin dhe kancerin e stomakut vetëm nga ngjyra e gjuhës

Keshilla Mjekësore

Gazeta Express

06/01/2026 20:03

Mjekët prej kohësh e kanë ekzaminuar gjuhën e pacientëve për shenja paralajmëruese të sëmundjeve, si ndryshimet në ngjyrë apo strukturë. Për shembull, një shtresë e trashë e bardhë mund të tregojë infeksion, ndërsa një gjuhë e thatë dhe e çarë është lidhur me sindromën Sjögren, një sëmundje autoimune.

Tashmë, shkencëtarët kanë zhvilluar programe të inteligjencës artificiale (AI) që analizojnë ngjyrën, strukturën dhe formën e gjuhës me saktësi mbresëlënëse, duke identifikuar shenja të hershme të diabetit dhe madje edhe të kancerit të stomakut.

Një rishikim i më shumë se 20 studimeve mbi këto programe ka arritur në përfundimin se saktësia e tyre është aq e lartë, sa që në të ardhmen e afërt mund të përdoren në spitale për të ndihmuar mjekët në diagnostikim, raportoi revista Chinese Medicine.

Në një nga studimet më domethënëse, të publikuar në vitin 2024 në revistën Technologies, sistemi i AI-së arriti të diagnostikojë saktë 58 nga 60 pacientë me diabet dhe anemi, thjesht duke analizuar fotografi të gjuhës së tyre.

Këto programe identifikojnë ndryshime shumë të vogla në gjuhë, pasi janë “trajnuar” me databaza që përmbajnë mijëra fotografi të gjuhëve të pacientëve me sëmundje të ndryshme.

Një studim tjetër tregoi se AI mund të zbulojë kancerin e stomakut duke analizuar ndryshime delikate në ngjyrë dhe strukturë, të cilat shpesh shoqërojnë sëmundjet e traktit tretës. Këto përfshijnë shtresë më të trashë në gjuhë, humbje të pjesshme të ngjyrës dhe zona të kuqërremta të lidhura me inflamacionin.

Kur u testua te pacientë të rinj, AI arriti të dallojë personat me kancer gastrik nga individët e shëndetshëm me një saktësi të krahasueshme me testet standarde diagnostikuese, si gastroskopia apo skaneri CT, duke identifikuar saktë rastet në rreth 85–90 për qind të rasteve, sipas revistës eClinicalMedicine (2023).

“AI mëson duke identifikuar modele statistikore në koleksione të mëdha imazhesh të gjuhës, të lidhura me të dhënat klinike të pacientëve,” shpjegon Prof. Dong Xu, ekspert i bioinformatikës në Universitetin e Misurit.

“Ajo zbulon karakteristika vizuale që shfaqen më shpesh te individët me gjendje të caktuara sesa te njerëzit e shëndetshëm – përfshirë shpërndarjen e ngjyrës, strukturën e sipërfaqes, lagështinë, trashësinë, shtresën, çarjet dhe ënjtjen.”

Sipas ekspertëve, ideja që gjuha pasqyron shëndetin e përgjithshëm nuk është e re.

“Gjuha shpesh quhet pasqyra e shëndetit të përgjithshëm,” shpjegon Prof. Saman Warnakulasuriya, profesor emeritus i mjekësisë orale dhe patologjisë eksperimentale në King’s College London.

Një gjuhë e lëmuar në sipërfaqen e sipërme mund të tregojë anemi, pasi mungesa e hekurit, vitaminës B12 ose folatit çon në humbjen e papilave – strukturat e vogla që përmbajnë receptorët e shijes. Pa këta elementë ushqyes, gjuha bëhet e lëmuar dhe me shkëlqim.

Një gjuhë e thatë mund të jetë gjithashtu shenjë e hershme e diabetit, pasi kjo sëmundje shkakton dehidratim dhe dëmtim nervor, duke ulur prodhimin e pështymës. Nivelet e larta të sheqerit në gojë favorizojnë rritjen e baktereve dhe kërpudhave, çka mund të çojë në një shtresë të verdhë.

Një gjuhë e zbehtë ose e bardhë mund të sinjalizojë anemi, ndërsa një shtresë e trashë e bardhë mund të jetë shenjë infeksioni. Gjithashtu, e ashtuquajtura “leukoplakia me qime” – njolla të bardha të ngritura me pamje të ashpër në anët e gjuhës, që nuk hiqen me gërvishtje – mund të lidhet me virusin Epstein-Barr.

Megjithatë, mjekët e familjes në praktikën e përditshme shohin relativisht pak ndryshime të tilla, ndërsa sistemet e AI-së, të trajnuara me mijëra imazhe klinike, mund të dallojnë modele shumë të imta ose të rralla, që syri i njeriut mund t’i humbasë.

“Disponueshmëria e një arkive të gjerë imazhesh klinike brenda një sistemi të trajnuar mirë të AI-së mund t’u japë mjekëve më shumë siguri për të ngushtuar diagnozën e saktë,” thotë Prof. Warnakulasuriya.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se AI identifikon vetëm modele vizuale dhe nuk e kupton shkakun e tyre. Kjo do të thotë se mund të gabojë. Një gjuhë e zbehtë, për shembull, mund të lidhet me aneminë, por mund të shkaktohet edhe nga faktorë të tjerë, si qarkullimi i dobët i gjakut.

Ndryshe nga AI, një mjek me përvojë merr parasysh historinë e plotë mjekësore të pacientit, simptomat, stilin e jetesës dhe gjetjet e tjera klinike. Për këtë arsye, AI mund të sinjalizojë diçka si problematike kur në fakt është normale, ose të mos vërejë diçka të rëndësishme.

Siç thekson Prof. Bernhard Kainz nga Imperial College London, kjo teknologji është më e besueshme si mjet kontrolli të përgjithshëm shëndetësor, jo si diagnostikues përfundimtar. Edhe Prof. Xu paralajmëron se cilësia e AI-së varet drejtpërdrejt nga të dhënat me të cilat trajnohet.

Ndryshimet në ndriçim, cilësinë e kamerës, apo fakti nëse gjuha është e thatë apo e lagësht, mund të ndikojnë ndjeshëm në analizë. Po ashtu, dieta, hidratimi, duhani, medikamentet dhe infeksionet ndikojnë në pamjen e gjuhës dhe mund të fshehin sinjale të vërteta sëmundjeje.

Edhe me teknologjinë më të avancuar, ekspertët janë të qartë: skanimi i gjuhës me AI nuk duhet të trajtohet kurrë si diagnozë.

“Diagnoza duhet gjithmonë të konfirmohet me analiza laboratorike dhe ekzaminime të përshtatshme,” thekson Prof. Warnakulasuriya.

E përdorur siç duhet, analiza e gjuhës me AI mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm dhe prioritizimin e kujdesit shëndetësor, por ajo duhet të plotësojë – jo të zëvendësojë – gjykimin klinik dhe rrugët standarde të diagnostikimit. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement