Hapen hetime kundër Boltonit për publikim të informatave sekrete në librin e famshëm - Gazeta Express

Hapen hetime kundër Boltonit për publikim të informatave sekrete në librin e famshëm

Lajme

Gazeta Express

16/09/2020 9:46

Ish-këshilltari për Siguri Kombëtare e presidentit Trump, John Bolton, është duke u hetuar rreth dyshimeve për publikim të të dhënave të klasifikuara në librin e botuar në qershor.

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara e hapi një rast kriminal pasi dështoi që ta ndalonte publikimin e librit me titull “The Room Ëhere It Happened”. Boltoni deri më tani i ka mohuar akuzat.

Në këtë libër, kreu i Shtëpisë së Bardhë paraqitet si i paditur rreth fakteve gjeopolitike, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Ish-këshilltari që shërbeu si këshilltar në vitet 2018 dhe 2019 gjithashtu pretendoi në libër se vendimet e presidentit amerikan udhëhiqen nga dëshira e tij për t’u rizgjedhur në pozitën e të parit të shtetit.

Në kohën e botimit të librit, presidenti Trump kishte bërë të qartë se dëshiron që ish-këshilltari i tij të ndiqej penalisht, duke e quajtur gënjeshtar.

Boltoni ka shkruar në këtë libër se presidenti Trump ka kërkuar ndihmë nga Kina për zgjedhjet e këtij viti si dhe ai ka thënë se Venezuela është pjesë e Shteteve të Bashkuara.

Përpos këtyre, në libër thuhet se Trumpi nuk e ka ditur se Britania e Madhe është fuqi bërthamore dhe se një herë e ka pyetur një ndihmës nëse Finlanda është pjesë e Rusisë.