Cristiano Ronaldo kaloi nëntë sezone shumë të suksesshme në “Santiago Bernabéu”, dhe së shpejti, djali i tij mund të ndjekë hapat e tij duke nënshkruar me Real Madrid.
15-vjeçari Cristiano Ronaldo Jr aktualisht është pjesë e akademisë së Al-Nassr, ku babai i tij luan që nga viti 2022. Megjithatë, ai duket se është pranë një kalimi te Real Madridi, pasi “The Athletic” (përmes Marca) raporton se të martën në mëngjes ai është stërvitur me skuadrën U16 të klubit madrilen.
Ronaldo Jr, i cili gjatë karrierës së tij të shkurtër ka qenë pjesë edhe e akademive të Manchester United dhe Juventus, ka debutuar tashmë me Portugalinë në nivelin U15 dhe tani duket gati për hapin e radhës të rëndësishëm. Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare për një transferim te Real Madridi, fakti që ai po stërvitet në “La Fabrica” sugjeron se marrëveshja mund të finalizohet në javët në vijim.
Nëse transferimi konfirmohet, Ronaldo Jr do të mund të qëndrojë në akademinë e Real Madridit, së bashku me shumë talente të tjera. Megjithatë, rikthimi i tij në Madrid ka nxitur diskutime nëse edhe babai i tij mund të kthehet së shpejti në kryeqytetin spanjoll.
Ronaldo ka kontratë me Al-Nassr edhe për 15 muaj të tjerë dhe pritet që ta respektojë atë, duke pasur parasysh objektivin e tij për të arritur shifrën e 1000 golave në karrierë – aktualisht numëron 964 – para se të tërhiqet nga futbolli.
Pas pensionimit, ekziston mundësia reale që ai të rikthehet në Spanjë. Ai së fundmi ka blerë 25% të aksioneve të Almeria dhe, përveç ndjekjes së karrierës së djalit të tij, mund të marrë një rol aktiv në klubin që garon në Segunda.
Mbetet për t’u parë nëse Ronaldo do të rikthehet në Spanjë në vitet e ardhshme, por për djalin e tij, gjithçka tregon se hapi i radhës është ndjekja e gjurmëve të babait duke nënshkruar me Real Madridin.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...