Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur para ndeshjes së radhës në La Liga, duke dhënë disa lajme të rëndësishme për gjendjen e skuadrës dhe situatën e disa prej yjeve të tij.
Flick konfirmoi se Lamine Yamal është rikuperuar dhe pritet të jetë gati për ndeshjen e nesërme.
“Lamine Yamal është mirë. Mendoj se është gati për nesër. Ka punuar shumë dhe jam i kënaqur me atë që kam parë,” deklaroi trajneri gjerman.
Ndërkohë, situata është më e komplikuar për Marcus Rashford, i cili ka munguar dy ditët e fundit në stërvitje.
“Rashford ka temperaturë dhe ka qenë jashtë dje dhe sot. Kam dyshime nëse mund të luajë nesër,” shtoi Flick.
Lajm i mirë për katalanasit është rikthimi i Raphinhas, i cili ka kaluar një periudhë rikuperimi.
“Raphinha do të rikthehet dhe nesër do të shohim sa mund të na japë, do ta shohim. Por rikthimi i tij është një hap i madh,” u shpreh ai, shkruan Gazeta Express.
Flick sqaron çështjen Yamal–Spanja
Trajneri i Barça-s foli edhe për situatën e shumëpërfolur të Lamine Yamal me kombëtaren spanjolle.
“Lamine është lojtari ynë dhe kujdesemi për të po aq sa federata. Ishte vendim i mirë që nuk luajti dy ndeshjet me Spanjën — ishte një hap i rëndësishëm për të menaxhuar dëmtimin,” tha Flick.
Presioni ndaj Real Madrid? Flick: “Ne shikojmë vetëm veten”
I pyetur nëse fitorja nesër do t’i shtonte presionin Real Madridit, Flick mbeti i përqendruar te skuadra e tij.
“E dimë që Real Madridi është një rival i madh, por ka edhe të tjera si Villarreal dhe Atlético. Janë skuadra fantastike. Ne duhet të shikojmë veten dhe të japim maksimumin në çdo ndeshje,” tha ai.
Barcelona kërkon fitoren për të qëndruar në garën për kreun dhe për të ruajtur ritmin e rivalëve të tyre më të mëdhenj. /GazetaExpress/