Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dhënë një përditësim mbi gjendjen fizike të disa prej lojtarëve kryesorë teksa ata kthehen në fushë kundër Athletic Club të shtunën pasdite.
Kjo do të jetë ndeshja e tyre e parë në rikthimin në “Camp Nou”, me 45,400 tifozë të lejuar në stadium.
Skuadra katalanase po pret rikthimin e disa yjeve nga dëmtimet, por surpriza ditëve para ndeshjes ishte mungesa e Marcus Rashford.
Flick shpjegoi në konferencën për shtyp se sulmuesi i huazuar nga Manchester United po vuante nga temperaturë e lartë. Ai gjithashtu konfirmoi se Raphinha mund të luajë minutat e tij të para që nga shtatori.
“Marcus ka temperaturë dhe mungoi dje dhe sot, dhe dyshoj nëse do të jetë i gatshëm nesër, por lajmi i mirë është që Raphinha do të kthehet dhe do të shohim çfarë mund të japë nesër. Dhjetë, pesëmbëdhjetë minuta… do të shohim, por është një hap i madh që ai është kthyer”, tha ai.
Një nga temat më të diskutueshme gjatë pauzës ndërkombëtare ishte trajtimi i dëmtimit të Lamine Yamal.
Barcelona e trajtoi për një hernie sportive pas ndeshjes me Celta Vigo, gjë që e pengoi të bashkohej me kombëtaren e Spanjës. Flick dha një përditësim mbi gjendjen e tij.
“Ai ka punuar shumë këto dy javët e fundit, kjo është e vetmja gjë që mund të them. Nuk mund të them se është rikuperuar plotësisht, ai ka ngritje dhe ulje, por po e menaxhon mirë dhe po punon me stafin. Lamine është lojtari ynë dhe kujdesemi për të po aq sa federata. Është një vendim i mirë që nuk luajti dy ndeshjet sepse ka qenë një hap i madh për të që ta menaxhojë siç duhet atë dëmtim”, vazhdoi ai.
Flick nuk deshi të futej në një debat të mëtejshëm me trajnerin e Spanjës, Luis de la Fuente, i cili u shpreh publikisht i surprizuar nga veprimet e Barcelonës.
“Tani jemi të fokusuar te klubi, kemi nëntë ndeshje përpara që duam t’i fitojmë dhe jemi të përqendruar në këtë. Ky është detyra jonë dhe nuk do të mendojmë për gjëra të tjera apo zhurma. Nesër luajmë dhe jam i lumtur”, pwrfundoi ai.
Pavarësisht raportimeve optimiste më herët këtë javë për rikthimin e mundshëm të Pedrit në stërvitje me grupin, lojtari nga Ishujt Kanarie vijoi të stërvitet veçmas të premten. Barcelona ndeshet me Chelsean në “Stamford Bridge” të martën.
“Nuk e di nëse do të jetë gati për të martën. Po e marrim hap pas hapi. Nuk do t’i bëjmë presion, por jemi të kënaqur me progresin e tij. Sigurisht, ai do të kthehet së shpejti, por nuk e di nëse do të jetë kundër Chelseat apo në ndeshjen tjetër.”
Blaugranat do të jenë pa Pedrin dhe Frenkie de Jong kundër Athletic Club, me holandezin që është i pezulluar. Marc Casado pritet të startojë në mungesë të tyre.
“E dimë si duam ta zëvendësojmë de Jongun, do ta shohim nesër. Frenkie, si Pedri, janë dy lojtarë të mëdhenj që na japin shumë siguri me topin, por duhet ta menaxhojmë këtë mungesë dhe mendoj se do të ia dalim mirë.”
Një lajm pozitiv që Flick konfirmoi ishte rikthimi i Joan Garcia, i cili do të startojë në Camp Nou.
“Çfarë mendoni? Po, sigurisht. Keni të drejtë,” u përgjigj me një buzëqeshje kur u pyet nëse ai do të kthehej në formacion./GazetaExpress/