Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka dhënë një intervistë për kanalin zyrtar të klubit, ku ka komentuar mbi progresin e ekipit gjatë sezonit dhe ka veçuar disa nga yjet kryesorë të skuadrës: Raphinha, Pedri dhe adoleshentin e mrekullueshëm Lamine Yamal.
Gjermani zbuloi se që në fazën përgatitore kishte marrë sinjale pozitive nga stafi teknik.
“Kryepërgatitësi fizik Julio Tous më tha që në fillim: ‘Me atë që po shoh, do ta fitojmë La Ligën.’ Dhe kishte të drejtë.”
Nën drejtimin e Flick, Barcelona arriti një treshë vendase historike këtë sezon, duke fituar La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Superkupën.
Lamine Yamal ishte në qendër të kreativitetit të skuadrës dhe pati një sezon të jashtëzakonshëm. Aktualisht ai po shijon pushimet në Brazil së bashku me Neymarin, por Flick kishte një mesazh të qartë për të:
“E kam thënë shpesh: ai është një gjeni. Por është vetëm 17 vjeç dhe duhet ta ndihmojmë. Deri tani çdo gjë shkon mirë, por nëse dëshiron të luajë në nivele të larta për 15 vitet e ardhshme, duhet të stërvitet fort dhe të përgatitet mendërisht.”
“Ai është i mençur. Nuk është vetëm kënaqësi – duhet edhe punë. Dhe lojtarët me talentin e tij e kanë për detyrë këtë. Ka shembuj të mirë në ekip, si Raphinha, që ka shumë besim tek ai.”
Flick foli me vlerësim të madh edhe për brazilianin Raphinha, i cili kishte humbur besimin kur Flick mbërriti te Barça. Vetë lojtari kishte thënë se nëse nuk do të ishte për Flick, mund të kishte lënë klubin.
“Kur e pashë për herë të parë, menjëherë kuptova çfarë lojtari është. Dinamik, me pasimin final, asiston Lewandowskin… por i mungonte vetëbesimi. Ai është brazilian – ka cilësi, por sjell edhe zemër, mentalitet dhe përkushtim.”
“Punon gjithmonë edhe në mbrojtje. Ka shumë potencial.”
Flick gjithashtu veçoi mesfushorin Pedri, i cili këtë sezon ishte ndër më të mirët në skuadër:
“Ai është i mrekullueshëm. Kur ka topin, është kënaqësi ta shikosh. Është fantastik ta kesh në ekip. Dhe mos harroni – ka vetëm 22 vjeç! Në vitet në vijim, ai mund të bëhet një nga liderët e ekipit.”
Flick theksoi se sfida e tij kryesore për sezonin e ardhshëm është të ruajë këtë nivel të lojës, të krijojë mënyra të reja për të sfiduar mbrojtjet kundërshtare dhe të përmirësojë aspektin defensiv të skuadrës.
Nëse arrin të mbajë Lamine Yamal, Pedri dhe Raphinha në të njëjtin nivel, Barcelona do të jetë sërish një pretendente serioze në Spanjë dhe Evropë./GazetaExpress/