Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza ka folur për investimet që janë bërë në këtë qytet gjatë mandatit të kryetarit aktual, Agim Bahtirit.
Hamza në emisionin ‘Pressing’ në T7 tha se të gjitha projektet e mëdha janë investuar nga niveli qendror.
“Projektet e mëdha kanë shkuar prej projektit qendror. Të gjitha investimet që ndodhin në nivelin lokal dhe qendror bëhen prej taksave të taksapaguesve. Nëse e marrim projektin e palestrës sportive është donacion i KE. Nëse e marrim liqenin, është tërësisht investim prej nivelit qendror përmes Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor. Universiteti në investim mbi 16 milionë euro, është komplet investim prej nivelit qendror”, tha Hamza.
Ai madje tha se edhe investimet në shkolla që janë bërë janë nga niveli qendror.
“Shkollat, ish e vërteta që të gjitha investimet, edhe shkolla në Broboniq, Shipol, e mjekësisë, edhe shkolla që është në fshatin e Agim Bahtirit që pritet të lëshohet këto ditë është investimi i nivelit qendror”.