Muhamet Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se ka qenë ish-presidenti Ibrahim Rugova ai që ka krijuar partneritetin e Kosovës me SHBA-të, 35 vite më parë, dhe se trashëgimia e Rugovës është në themelet e shtetit të Kosovës dhe të aleancës së popullit të Kosovës me SHBA-të, me vendet evropiane, me Perëndimin.
Hamiti ka thënë edhe se e sheh me keqardhje dhe shqetësim se lëkundje të kësaj politike, në marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të, janë shënuar në kohën e Qeverisë së Albin Kurtit, duke theksuar edhe se Kosova është nën sanksione të të dyjave aktualisht për fajin e politikave të Albin Kurtit.
Postimi:
Presidenti Ibrahim Rugova e ka krijuar partneritetin e Kosovës me SHBA-të para 35 vitesh. Fillmisht si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila u formua në dhjetor të vitit 1989, pastaj si President i Republikës së Kosovës nga maji i vitit 1992, Dr. Ibrahim Rugova e ankoroi lëvizjen tonë për liri, pavarësi dhe demokraci në Perëndim. Integrimi i Kosovës në BE dhe në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, ka qenë politika e Ibrahim Rugovës, dhe e popullit të Kosovës që ia dha besimin atij. Po ashtu edhe e udhëheqësve të tjerë mbas Rugovës.
Në Krishtlindjet e vitit 1992, paka para se ta përfundonte mandatin e vet si President i SHBA-ve, Presidenti H. W. Bush (Plaku), i dërgoi letër Presidentit të Serbisë Sllobodan Millosheviq, me të cilën i tërhiqte vërejtjen se SHBA-të do të intervenonin ushtarakisht kundër Serbisë në rast se ajo shkaktonte konflikt në Kosovë. “In the event of conflict in Kosovo caused by Serbian action, the United States will be prepared to employ military force against the Serbians in Kosovo and in Serbia proper”, shkruante Presidenti Bush.
Ky kërcënim (i njohur si the Christmas Warning) ka mbetur në fuqi edhe në kohën e Asministratës së Bill Clintonit në vitet 90-të.
Presidenti Bill Clinton efektivisht i priu aksionit perëndimor, të aleancës veri-atlantike (NATO), për çlirimin e Kosovës nga Serbia në pranverën e vitit 1999. Ky President amerikan e kishte pritur në Shtëpinë e Bardhë delegacionin e Kosovës, të cilit i printe Presidenti Ibrahim Rugovë, në maj të viti 1998. Kjo Administratë punoi ngushtë edhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në atë kohë.
Presidenti George W. Bush (I Riu) e ka pasë paralajmëruar pavarësinë e Kosovës më 10 qershor të vitit 2007 në Shqipëri.
Në koordinim me SHBA-të dhe me fuqitë kryesore evropiane, me mbështetjen vendimtare të tyre, përfaqësuesit e popullit të Kosovës e shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran më 17 shkurt 2008.
Trashëgimia e Ibrahim Rugovës është në themelet e shtetit të Kosovës dhe të aleancës së popullit të Kosovës me SHBA-të, me vendet evropiane, me Perëndimin.
E shohim me keqardhje dhe shqetësim se lëkundje të kësaj politike, në marrëdhëniet me BE-në dhe SHBA-të, janë shënuar në kohën e Qeverisë së Albin Kurtit. Kosova është nën sanksione të të dyjave aktualisht për fajin e politikave të Albin Kurtit, liderit të Vetëvendosjes (VV).