Hamiti: Reagimet e aleatëve e shfaqin mospajtimin e tyre me politikat dhe sjelljen e papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës - Gazeta Express
string(121) "hamiti-reagimet-e-aleateve-e-shfaqin-mospajtimin-e-tyre-me-politikat-dhe-sjelljen-e-papergjegjshme-te-qeverise-se-kosoves"

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 12:11

Hamiti: Reagimet e aleatëve e shfaqin mospajtimin e tyre me politikat dhe sjelljen e papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës

Lajme

Gazeta Express

17/09/2025 12:11

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër, Muhamet Hamiti, për FrontOnline ka kritikuar Qeverinë aktuale të Kosovës, duke theksuar se reagimet e aleatëve, BE-së, SHBA-ve ndaj Qeverisë së Kosovës janë dëshmi e qartë se ato nuk pajtohen me politikat e mbrapshta dhe sjelljen e saj të papërgjegjshme.

Ai shtoi se kjo nuk është vetëm çështje e gjysmëviti të fundit kur Qeveria është në detyrë..

‘’Reagimet e aleatëve, BE-së, SHBA-ve dhe Gjermanisë, ndaj Qeverisë së Kosovës janë dëshmi e qartë se ato nuk pajtohen me politikat e mbrapshta dhe sjelljen e saj të papërgjegjshme. Dhe jo vetëm kohët e fundit, në gjysmë vitin e fundit kur Qeveria është në detyrë, por edhe kur ishte me mandat të plotë, në 4-vjeçarin e saj kushtetues’’ tha Hamiti.

Hamiti vazhdoi duke ironizuar me veprimet e Qeverisë.

“Çka thanë e çka bënë këta që janë në pushtet tash e 5 vjet? Çka thanë?” Ai kujton se në Programin e Qeverisë në maj të vitit 2021, ishte premtuar se:

“Politika e jashtme e Republikës së Kosovës synon forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës (…) [Qeveria do të jetë] bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-të dhe vendet e BE-së (…). Qeveria e Republikës së Kosovës do të hapë dyer të reja. Ky orientim dhe besimi masiv qytetar kanë krijuar simpati dhe mbështetje të gjerë te partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë të Kosovës’’, potencoi Hamiti për FrontOnline

Por, sipas tij, në realitet ndodhi krejt e kundërta.

“Nën udhëheqjen e tyre, Qeveria nuk hapi dyer, por mbylli dyer për Kosovën. Për fajin e saj, Kosova është nën sanksione të BE-së dhe të SHBA-ve. Qeveria nuk doli të jetë bashkëpunuese me aleatët e miqtë tanë – ShBA-të dhe vendet e BE-së. Prandaj, e sanksinuan Kosovën për fajin e Albin Kurtit dhe të atyre që janë rreshtuar me të” deklaron ish-ambasadori.

Hamiti thekson se Republika e Kosovës është nën regjim sanksionesh të ashpra të BE-së prej mesit të vitit 2023.

‘’Republika e Kosovës është nën regjim sanksionesh të ashpra të BE-së prej mesit të vitit 2023.  Nja 600-700 milionë euro i janë pezulluar Kosovës për fajin e Qeverisë së Albin Kurtit”, nënvizoi ai.

Ai kritikoi edhe situatën me SHBA-të.

“Sjelljet e Albin Kurtit, tash e gjashtë muaj kundërligjshëm në krye të Qeverisë (sepse është edhe deputet edhe kryeministër!), sollën edhe sanksione të SHBA-ve. Aleati ynë kryesor e pezulloi javën e kalur pa afat Dialogun Strategjik me Kosovën për shkak të kësaj sjelleje”. shtoi ai.

Në lidhje me këtë, Hamiti përmend deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve të javës së kaluar.

‘’ Në deklaratën e Ambasadës së SHBA-ve thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta’’ deklaroi tutje.

Ai po ashtu vë në dukje se zyrtarët e BE-së prej mesit të verës nuk e takojnë në hapësirat e Qeverisë së Kosovës deputetin Albin Kurti, liderin e VV-së.

‘’Zyrtarët e BE-së prej mesit të verës nuk e takojnë në hapësirat e Qeverisë së Kososvës deputetin Albin Kurti, liderin e VV-së. As deputetët e tjerë, kolegë të Kurtit, që qëndrojnë në poste qeveritare në kundërshtim me ligjet dhe me Kushtetutën e Kosovës.

Kjo është gjendja e mjerueshme e Kosovës nën sundimin absolut të Albin Kurtit dhe të atyre që janë rreshtuar me të për të keqen e atdheut tonë.

Krahasojeni gjendjen e mjerë të vendit tonë, sanksionimin nga BE-ja dhe SHBA-të, izolimin nga bota, korrupsionin masiv qeveritar dhe shkelejet serike të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës nga Albin Kurti me shoqërinë e vet me programin e Qeverisë së Kosovës të pranverës së vitit 2021’’ potencoi Hamiti.

Ai i bën thirrje qytetarëve të krahasojnë sot me atë që ishte më 2021.

“Krahasojeni gjendjen e mjerë të vendit tonë, sanksionimin nga BE-ja dhe SHBA-të, izolimin nga bota, korrupsionin masiv qeveritar dhe shkelejet serike të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës nga Albin Kurti me shoqërinë e vet me programin e Qeverisë së Kosovës të pranverës së vitit 2021”, pëfundoi Hamiti.