Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se pret që pengjet e mbajtura nga Hamasi në Gaza të lirohen të hënën, pas një marrëveshjeje paqeje midis Izraelit dhe Hamasit të promovuar nga administrata e tij.
Trump shtoi për Fox News se i dërguari special Steve Witkoff, dhëndri i tij Jared Kushner, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance ndihmuan shumë në zbatimin e planit.
“E gjithë bota u bashkua, për të qenë i sinqertë. Kaq shumë vende që as nuk do t’i kishit menduar, u bashkuan. Bota është bashkuar rreth kësaj marrëveshjeje”, tha ai të mërkurën, transmeton në shqip gazeta online Reporteri.net.
Trump theksoi se marrëveshja e paqes është “më shumë se Gaza”, është, sipas fjalëve të tij, “paqe në Lindjen e Mesme”.
“Vendet përreth kanë nënshkruar të gjitha. Dua të them, të gjitha janë nënshkruar dhe – ka qenë vërtet një periudhë e mahnitshme kohore dhe shumë e shkëlqyer për Izraelin, shumë e shkëlqyer për myslimanët, për vendet arabe, dhe shumë e shkëlqyer për këtë vend, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe që ne mund të përfshihemi, e dini, në arritjen e një marrëveshjeje të tillë sepse, e dini, ata folën për paqen në Lindjen e Mesme për shumë vite. Kjo është më shumë sesa Gaza, kjo është paqe në Lindjen e Mesme dhe është një gjë e pabesueshme”, tha Trump.
Lidhur me Iranin, Trump tha se vendi ishte afër, rreth një muaj, për të marrë një armë bërthamore dhe se kjo do të dëmtonte planin e paqes për Gazën.
“Nëse do ta kisha lejuar këtë të ndodhte, kjo marrëveshje nuk do të kishte qenë e mundur. Ose nëse do të kishte ndodhur, do të kishte një re të madhe mbi të, sepse do të kishit një vend me armë bërthamore që padyshim nuk është shumë miqësor. Siç e keni parë, ata (Irani) po e bekojnë marrëveshjen”, tha ai.
Ai shtoi gjithashtu se beson që Irani do të përfshihet në procesin e paqes.
Trump theksoi se pas pjesës së parë të planit të paqes, Gaza do të rindërtohet.
“Do të jetë një botë tjetër dhe pasuria do të shpenzohet në Gaza”, tha Trump.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu konfirmoi se qeveria do ta shqyrtojë marrëveshjen nesër, duke theksuar se ishte një “ditë e madhe për Izraelin” dhe duke falënderuar Trumpin për angazhimin e tij për lirimin e pengjeve.
Hamasi konfirmoi në një deklaratë zyrtare se kishte rënë dakord për marrëveshjen, e cila parashikon përfundimin e luftës në Gaza, tërheqjen e forcave izraelite, hyrjen e ndihmës humanitare dhe shkëmbimin e të burgosurve.
Organizata falënderoi Trumpin dhe ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia, duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta detyrojë Izraelin të zbatojë detyrimet e rëna dakord.
Sipas raportimeve nga zyrtarët izraelitë, lirimi i pengjeve të gjallë pritet brenda 72 orëve, ndërsa riatdhesimi i trupave të pengjeve të ndjera do të zgjasë më shumë.
Marrëveshja, e cila bazohet në një plan amerikan me 20 pika, kërkon një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga Rripi i Gazës, lirimin e 48 pengjeve dhe krijimin e një autoriteti të përkohshëm palestinez për të qeverisur enklavën.
Trump paralajmëroi se nëse Hamasi shkel marrëveshjen, Izraeli do të ketë mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara në zbatimin e planeve të tij ushtarake në Gaza.
Pjesëmarrja në evente të zhvillimit personal dhe profesional, si Konventa 8, është thelbësore për rritjen individuale dhe suksesin në...