Grupi palestinez Hamas ka sinjalizuar të mërkurën se është i hapur për një marrëveshje armëpushimi me Izraelin, por ka refuzuar të pranojë propozimin e mbështetur nga SHBA, të shpallur më herët nga Donald Trump.
Sipas The Guardian, Hamas vazhdon me qëndrimin e mëparshëm se çdo marrëveshje me Izraelin duhet të sjellë përfundimin e plotë të luftës.
Ndërkohë, sipas agjencisë AP, zyrtari i Hamasit, Taher al-Nunu, ka deklaruar se grupi militant është “gati dhe serioz për të arritur një marrëveshje”.
Ai ka shtuar se Hamas është “gati të pranojë çdo nismë që çon qartë në përfundimin e plotë të luftës”.
Raportohet poashtu se një delegacion i Hamasit pritet të takohet me ndërmjetësit egjiptianë dhe katariotë në Kajro gjatë të mërkurës.