Hamami i Prishtinës - Gazeta Express
string(19) "hamami-i-prishtines"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/03/2021 14:25

Hamami i Prishtinës

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

29/03/2021 14:25

Ministri i ri me të vërtetë e ka në dorën e tij që ta shpëtojë Trashëgiminë Kulturore ose ta shuajë fare shpresën tashmë të vrarë se diç mund të ndryshohet.

Pleurat Kabashi

I trishtuar nga gjendja e rëndë në të cilën është sjellë Trashëgimia Kulturore e Kosovë, disa ditë më parë reagova me një shkrim në gazetën Ekspres. Nuk desha të tingëllojë si ogur i zi i ngjarjeve si kjo me hamamin e Prishtinës, por i vetëdijshëm për gjendjen e rëndë reagova duke marrë shkas emërimin e ministrit të ri të MKRS. Natyrisht, me qëllimin e mirë që ta paralajmëroj dhe ta njoftoj për këtë gjendje. Po ashtu, i shqetësuar se ngjarje të tilla si kjo ka të ngjarë të shohim më shpesh në të ardhmen nëse nuk merren masa adekuate në ruajtjen dhe mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Por, si duhet reaguar në këtë rast, dhe si duhet vepruar që raste të tilla si kjo të mos përsëriten?

Kurrsesi nuk janë zgjidhje klithmat tona në mbrojtje të hamamit, ato tashmë janë shumë të vona, në mos të vonuara. Kur opinioni publik reagon për ngjarje si çështja e hamamit kjo padyshim do të thotë që institucionet që kanë detyrë  ruajtjen dhe mbrojtën e Trashëgiminë Kulturore kanë dështuar. Dhe, kanë dështuar për disa arsye. E para, sepse këto institucione nuk kanë profesionalizmin e duhur. E dyta, sepse politika dhe pushteti ka përdorur këto institucione për punësimin e militantëve të tyre. Dhe, e treta, MKRS ka hequr autonominë e këtyre institucione duke e monopolizuar veprimtarinë e tyre me qëllimin që të ushtroj kontroll të plotë mbi këto institucione. Dhe, duke mos ekzistuar ndëshkueshmëria ligjore mbi dështimet e administratës së MKRS, shkatërrimet e njëpasnjëshme të monumenteve kulturore kanë kaluar në heshtje ose në tentim fshehje të dëmit të bërë.

Popujt që kujdesen për të kaluarën e tyre kanë ndërmarrë masa paraprijëse që ngjarje të tilla të mos ndodhin. Institucionet e tyre kujdesen vazhdimisht që të krijojnë kuadrot e nevojshme profesionale që kujdesen për monumentet kulturore-historike. Në Kosovë kuadrot e vetme të arkeologjisë, antropologjisë, muzeologjisë e historisë së artit janë krijuar gjatë viteve të 70-ta të shekullit të kaluar. Që nga çlirimi i Kosovës nuk është krijuar një politikë e cila siguron qëndrueshmëri të zhvillimit të kuadrove të nevojshëm konform kërkesave që ka Kosova në fushën e Trashëgimisë Kulturore. Përpjekjet e para të suksesshme janë realizuar nga Universiteti i Prishtinës në vitin 2014, duke hapur Departamentin e Antropologjisë, me dy drejtime: Antropologjinë Kulturore dhe Arkeologjinë, me synim që në të ardhmen e afërt të hapen brenda këtij Departamenti edhe drejtimet e Antropologjisë Fizike dhe asaj Linguistike. Kuadrot e të gjitha këtyre drejtimeve janë në mungesë të madhe, jo vetëm në trojet shqiptare por në të gjithë shtetet e Ballkanit. Po ashtu, Departamenti i Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik/Universitetit të Prishtinës është i vetmi i këtij lloji në trojet shqiptare. Shpresojmë që politika do të kujdeset për mbarëvajtjen e këtyre institucioneve të rëndësisë nacionale, dhe jo të hartohen plane për mbylljen e këtij Departamenti, siç po qarkullojnë zëra kuluareve të ndryshme.

Dhe, kur kombinohet mungesa e kuadrove profesionale dhe dështimi i MKRS, rezultate të tilla si në rastin e hamamit të Prishtinës do të jenë çdo herë e më të shpeshta. Sikur Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Qendrat rajonale që janë të thirrura për mbrojtjen e monumenteve kulturore-historike të ishin funksionale nuk do të kishte fare nevojë që shoqëria civile të reagonte apo edhe organizata të dyshimta të ushtronin veprimtari joprofesionale brenda territorit tonë. E as politikanëve nuk do t’i vinte rasti të ushtronin ndikimin e tyre tërësisht jo profesional në fushën e Trashëgimisë Kulturore.

Unë nuk i vë faj kryetarit të Komunës së Prishtinës, me siguri ai e ka pasur “nijetin” e mirë. Por, duke mos qenë ekspert i fushës ai ka rënë në lajthitje, me siguri i shtyrë edhe nga këshilltarët e tij jo kompetent në këtë fushë. Prandaj, fale o Zot kryetarin sepse “nuk din”. Por, si t’i falim ata që e dëmtojnë Trashëgiminë Kulturore derisa e kanë për mision ruajtjen dhe mbrojtjen e këtyre monumenteve?

Ministri i ri me të vërtetë e ka në dorën e tij që ta shpëtojë Trashëgiminë Kulturore ose ta shuajë fare shpresën tashmë të vrarë se diç mund të ndryshohet.

Nuk na mbetet tjetër, veçse mbesim me shpresë!   

/Autori është Ligjërues në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Edukimit dhe Fakulteti Filozofik/Departamenti i Antropologjisë. Kryetar i Këshillit Drejtues të Institutit Arkeologjik të Kosovës