Anëtari i partisë Guxo, Halil Geci tha se nuk ka kërcënuar dhe nuk ka nxitur dhunë, pasi e përshkroi si “tradhti” dekretin e presidentes Vjosa Osmani të premten për ta shpërndarë Kuvendin dhe tha se ajo “do të pushkatohej” në Turqi për këtë.
Presidenca u kërkoi organeve kompetente të rendit dhe të drejtësisë që “të merren urgjentisht me këto raste dhe ta trajtojnë në përputhje me ligjin”.
Pas këtij reagimi të Presidencës, Geci e ka korrigjuar pak postimin e tij në Facebook, duke ia hequr fjalinë me “pushkatim”.

Në një postim tjetër, Geci tha se reagimi i Presidencës ishte “i tepruar dhe i padrejtë”.
“Në Kushtetutën e Republikës së Kosovës nuk parashihen dënime kapitale për shkeljet kushtetuese, por ekzistojnë mekanizma institucionalë dhe juridikë për trajtimin e tyre. Për këtë arsye, çdo interpretim sikur unë kam bërë kërcënime apo kam kërkuar ndëshkime të dhunshme është i pavërtetë dhe i pabazuar. Referenca ime ndaj shembujve nga Turqia kishte karakter krahasues dhe informues, duke përmendur mënyrën se si shtete të ndryshme reagojnë ndaj tentativave për grusht shteti, jo si thirrje për veprime të tilla në Kosovë”, shkroi ndër tjerash Halil Geci.
“Unë nuk kam kërcënuar askënd dhe as nuk kam nxitur dhunë. Kam shprehur vetëm një mendim kritik dhe qytetar mbi respektimin e Kushtetutës dhe mbi përgjegjësinë e institucioneve publike. Në një shoqëri demokratike, mendimi i lirë dhe kritika ndaj pushtetit janë pjesë thelbësore e jetës publike”, shtoi ai.