Hakmarrja e urtësisë së Bismarkut - Gazeta Express
string(34) "hakmarrja-e-urtesise-se-bismarkut1"

Hakmarrja e urtësisë së Bismarkut

Gazeta Express

26/12/2019 14:01

Në literaturën teorike dhe në diskursin politik prej shumë kohësh qarkullon përkufizimi për politikën si art i të mundshmes. Ndoshta ky është përkufizimi më i përfolur dhe më i njohur prej të gjithë të tjerëve. Thuhet se autori i tij është kancelari i parë i Gjermanisë, Otto Von Bismark, të cilin ne e njohim më shumë për mohimin e ekzistencës së kombit shqiptar në Kongresin e Berlinit të vitit 1878.

Shkruan: Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Përkufizimi i Bismarkut është dy dimensional: ai e konstaton thelbin e këtij fenomeni të quajtur politikë dhe njëkohësisht përmban një këshillë për të gjithë ata që duan të kenë punë me këtë fenomen. Dhe kjo këshillë sugjeron që gjithmonë të merret parasysh raporti midis mundësive dhe ambicieve. Ambiciet duhet të reflektojnë mundësitë. Nëse nuk e bëjnë këtë, ato janë të destinuara të përfundojnë në dështim dhe dëshpërim, e në shumë raste edhe me pasoja të rënda për shoqëritë.

Demagogët e etur për pushtet dhe populistët që u bëjnë thirrje paragjykimeve dhe emocioneve grupore, janë të parët që e injorojnë urtësinë të cilën e përmban përkufizimi i Bismarkut. Ata nisen duke shpalosur ambicie që shkojnë përtej mundësive të tyre dhe politikën e shndërrojnë në premtim të së pamundurës. Kjo u siguron, përkohësisht, përkrahjen e masave, por të nesërmen e ardhjes në pushtet, para tyre shpaloset një botë tjetër: ajo e mundësive të vogla për t’i vënë në jetë premtimet e mëdha.

Gjatë gjithë kohës së përfshirjes në politikë, Albin Kurti dhe pasuesit e tij kanë ecur nëpër këtë shteg klasik të populizmit. Kanë premtuar ndryshimin e botës dhe tani, me t’i fituar zgjedhjet, nuk janë në gjendje t’i japin jetë as një qeverie, e cila punën kryesore që do të ketë është administrimi i buxhetit prej 2 miliardë eurosh të shtetit më të varfër në Europë.

Kanë premtuar të pamundurën dhe tani nuk janë në gjendje ta konkretizojnë edhe atë që është e mundshme.

Në emër të çkapjes së shtetit, i kanë vënë vijë të kuqe bashkëpunimit me PDK-në dhe AAK-së dhe tani kur dështuan të merren vesh me LDK-në, nuk dinë se çfarë të bëjnë: t’u vënë shkelmin premtimeve të tyre për të mos bashkëpunuar me ata të cilët deri dje i quanin tradhtarë të kombit e shkatërrues të shtetit, apo të dorëzojnë mandatin e marrë nga votuesit dhe të pranojnë dështimin?

Për moralin e tyre politik, secili prej dy varianteve është më i keq se tjetri.

Në emër të sovranitetit të shtetit, kanë premtuar të mos bashkëpunojnë me Listën Serbe, e cila dirigjohet nga autokrati i Beogradit, presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Tani përherë e më shpesh dëgjohen duke dhënë deklarata të matura për këtë Listë dhe përherë e më rrallë deklaratat e forta të dikurshme, në të cilat të gjithë ata që takoheshin me zyrtarët serbë i etiketonin si pasardhës të Esat Pashë Toptanit.

Për mendimin tim situata në të cilën ndodhen aktualisht, është edhe më rëndë se ajo në kohën e përçarjes, kur 12 deputetë dhe figurat më të njohura të Vetëvendosjes, dolën prej saj. Është më e rëndë, për arsye se i gjithë kapitali politik i Albin Kurtit është i mbështetur mbi koherencën e qëndrimeve të forta kundër Serbisë dhe kundërshtarëve të brendshëm politikë. Nëse tani kjo koherencë prishet, atëherë bashkë me të shembet edhe kredibiliteti i tij politik dhe krejt çfarë ka gjasa të mbetet pas shembjes është Kurti si një politikan i rëndomtë, në mesin e shumë të tillëve. Më tutje mbijetesa në komunitetin e politikanëve të rëndomtë kërkon përshtatjen me rregullat e këtij komuniteti.

Në mesin e këtyre rregullave shkëlqen rregulla e pragmatizmit makiavelist, sipas të cilës gjëja kryesore me të cilën merren politikanët është përpjekja për t’i siguruar pushtet për veten dhe pasuesit e tyre. Populli, ndërkaq, duhet të vazhdojë të pres derisa në horizont të shfaqet ndonjë profet i ri politik, për të përsëritur ciklin e dështimit të premtimeve të mëdha, dështim i cili gjithmonë vjen nga injorimi i urtësisë së Bismarkut.