Hakimi negativ edhe në testin e dytë, udhëton me skuadrën për ndeshjen me Genoan - Gazeta Express

Gazeta Express

24/10/2020 12:59

Hakimi negativ edhe në testin e dytë, udhëton me skuadrën për ndeshjen me Genoan

Gazeta Express

24/10/2020 12:59

Testet e kryera nga UEFA të mërkurën kanë dhënë rezultat të gabuar për anësorin maroken Achraf Hakimi, i cili u la jashtë ndeshjes me Borussia Monchengladbach, pasi rezultoi pozitiv.

Megjithatë në dy testet e radhës që futbollisti ka kryer në Itali, ka rezultuar negativ, çka ka konfirmuar se rezultati i tamponit të kryer nga UEFA para ndeshjes së Ligës së Kampionëve, ka qenë i gabuar.

Kështu Hakimi është nisur me skuadrën drejt Gjenovës, ku Interi do të përballet me Genoan sonte në orën 18:00, ndërsa drejtuesit e klubit po punojnë për të marrë gjithë dokumentacionin e nevojshëm që futbollisti të ketë mundësi të luajë.

Me përgjigjet negative të dy tamponëve radhazi dhe dokumentacionin e firmosur nga mjekët e klubit që futbollisti nuk ka pasoja, tani është ASL-ja e Milanos ajo që do të certifikojë gabimin e testit të kryer nga UEFA dhe do të japë lejen që Hakimi të luajë ndaj Genoas.

Gjithsesi edhe nëse dokumentet do të plotësohen në kohë, mbrojtësi maroken pritet ta nisë takimin nga stoli, pasi nuk është stërvitur me skuadrën këto ditë dhe Conte ka planifikuar Mateo Darmian nga minuta e parë.