Presidenti rus Vladimir Putin ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan në Moskë, ku kanë diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas Reuters, në takimin e tyre, Putin dhe Fidan diskutuan “nismat e ndërmarra kohëve të fundit për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë, (si dhe) zhvillimet pas negociatave të mbajtura në Stamboll”. Poashtu një burim ka thënë për agjencinë se janë diskutuar edhe çështje ekonomike dhe energjetike.
Sipas ministrisë së Jashtme turke, Fidan ndodhet për një vizitë dyditore në Moskë dhe është takuar me Putinin të hënën, e poashtu me kryenegociatorin rus, Vladimir Medinsky. Është bërë e ditur se Hakan do të takohet edhe me homologun rus Sergei Lavrov.
Bëhet e ditur se para takimit me Putinin, Fidan do të përsëriste ofertën e Ankarasë për të pritur palët në bisedime dhe për të vazhduar të luajë një rol “lehtësues”.
Kujtojmë se më herët këtë muaj delegacione nga Moska dhe Kievi janë takuar në Stamboll, e megjithëse nuk ranë dakord për një armëpushim, ata ranë dakord për shkëmbimin e 1,000 të burgosurve të luftës.
Minstri turk Fidan pritet gjithashtu të udhëtojë në Kiev më vonë gjatë javës për t’u takuar me zyrtarë ukrainas dhe për të ndjekur nga afër bisedimet e Stambollit.
Ndërkohë, burimet ruse kanë thënë se ata e shohin Turqinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabinë Saudite, Katarin dhe Omanin si vende potencialisht të përshtatshme për zhvillimin e bisedimeve.