Haga i liron me kusht edhe Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, mbesin ende të akuzuar - detaje - Gazeta Express
string(90) "haga-i-liron-me-kusht-edhe-bashkim-smakajn-dhe-fadil-fazliun-mbesin-ende-te-akuzuar-detaje"

Lajme

Gazeta Express

10/02/2026 14:54

Haga i liron me kusht edhe Bashkim Smakajn dhe Fadil Fazliun, mbesin ende të akuzuar – detaje

Lajme

Gazeta Express

10/02/2026 14:54

Përveç Haxhi Shalës, Dhomat e Specializuara në Hagë kanë njoftuar se Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht në Kosovë.

Në vendimet e tij të 3 shkurtit 2026, Gjykatësi konstatoi se rrethanat kishin ndryshuar që prej rishikimit të paraburgimit të Smakajt dhe Fazliut në dhjetor 2025 dhe se mbajtja e tyre në paraburgim nuk ishte më e arsyeshme apo proporcionale.

Gjykata Speciale tha se megjithëse gjykatësi konstatoi se ende ekzistonte njëfarë rreziku që, në qoftë se lirohen, si Smakaj ashtu edhe Fazliu mund të pengojnë ecurinë e procesit, ai arriti në përfundimin se e drejta themelore e tyre për liri peshon më shumë se këto rreziqe.

“Ndër faktorë të tjerë, Gjykatësi mori parasysh se koha që z. Smakaj dhe z. Fazliu kanë kaluar deri tani në paraburgim tejkalon dënimin minimal që do të merrnin sipas ligjit në qoftë se do të shpalleshin fajtorë. Gjykatësi mori parasysh gjithashtu se faza e paraqitjes së provave në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, dhe Jakup Krasniqit tashmë ka përfunduar dhe se nuk ka gjasa që ndonjë veprim i mundshëm pengimi i tentuar nga z. Smakaj ose z. Fazliu të mos zbulohet”.

Gjykatësi konstatoi gjithashtu se nuk ka rrezik që Fazliu dhe Smakaj të arratisen, sidomos duke pasur parasysh shumën e dorëzanisë financiare të ofruar prej tyre, të cilën do ta humbisnin në rast se arratisen.

Smakaj dhe Fazliu mbeten të akuzuar në gjykimin aktual dhe për lirimin e tyre janë caktuar një numër kushtesh.

“Në përputhje me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe me Kushtetutën e Kosovës, të akuzuarit mund të mbahen në paraburgim para shpalljes së fajësisë vetëm kur gjykatësit konstatojnë ekzistencën e rreziqeve që përligjin paraburgimin. Për çdo person të paraburgosur, gjykatësit rivlerësojnë çdo dy muaj nëse këto rreziqe ende ekzistojnë, nëse ato mund të trajtohen nëpërmjet masave alternative, dhe nëse vazhdimi i paraburgimit është ende i domosdoshëm dhe proporcional”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement