Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër ish-krerët e akuzuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennett sqaroi për Gazetën Express se bëhet fjalë për 45 vjet për secilin të akuzuar, jo në total.
“Faktet e këtij rasti dhe ligji i zbatueshëm mbështesin një dënim të gjatë me burg për secilin prej të akuzuarve. Një shpjegim i plotë i konsideratave faktike dhe ligjore relevante është paraqitur në memorandumin përfundimtar të Prokurorisë, dhe unë nuk do t’i përsëris të gjitha faktorët këtu. Ndërkohë që kolegët e mi së shpejti do të theksojnë prova të caktuara në prezantimet e tyre dhe do t’i përgjigjen disa argumenteve të Mbrojtjes, ne mbetemi te memorandumi ynë që paraqet më gjerësisht çështjen tonë. Megjithatë, është e rëndësishme që pozicioni i ZPS-së të kuptohet mirë – një dënim dhe një vendim nuk kërkohet kundër Shtabit të Përgjithshëm apo kundër UÇK-së. Po ashtu, nuk kërkohet asnjë dënim, dhe nuk mund të shqiptohet asnjë vendim, vetëm mbi bazën e anëtarësisë në Shtabin e Përgjithshëm apo në UÇK”, tha ai, duke cituar fjalët e prokurores Kimberly West në sallën e gjyqit.
“Përkundrazi, ZPS ka kërkuar dënime për të gjitha 10 pikat dhe shqiptim të një dënimi të vetëm prej 45 vjetësh bazuar në kontributet individuale në krimet (të cilat ngarkohen në Aktakuzë) të bërë nga secili prej Hashim THAÇI, Kadri VESELI, Rexhep SELIMI dhe Jakup KRASNIQI. Këto krime janë krime lufte dhe krime kundër njerëzimit dhe janë të një natyre të rëndë. Dhe rëndësia e akuzave nuk është zvogëluar me kalimin e kohës”, shtoi Benett në citimin e prokurores.
Deklarata e prokurores fillimisht krijoi konfuzion në Prishtinë, nëse po kërkoheshin 45 vjet për secilin nga të akuzuarit apo për të katërtit bashkë.