Yjet e Premierligës, Erling Haaland dhe Mohamed Salah, janë renditur mes paguesve më të mëdhenj të taksave në Britani.
Të tjerë në 100-shen e parë përfshijnë ish-këngëtarin e “One Direction”, Harry Styles, autoren e “Harry Potter”, JK Rowling, dhe muzikantin që mbush stadiume, Ed Sheeran.
Ata janë përfshirë mes individëve ose familjeve më të pasura në Listën e Taksave të Sunday Times për këtë vit. Hulumtimi merr parasysh mënyra të ndryshme se si ata kanë kontribuar në arkën e shtetit.
Disa kontribuojnë drejtpërdrejt, për shembull përmes taksave mbi paga dhe bonuse shumë të larta, apo mbi fitime nga dividendët.
Por në rastin e individëve jashtëzakonisht të pasur nga bota e biznesit dhe financave, përfshihen edhe taksat që kompanitë e tyre janë të detyruara të mbledhin për llogari të Thesarit, si tatimi mbi fitimin e korporatave apo kontributet e sigurimeve shoqërore të punëdhënësit.
Autorët e raportit më pas kanë llogaritur një shifër në raport me pjesën e kompanisë që secili zotëron. Edicioni i tetë i Listës së Taksave – i publikuar në ditën e fundit për dorëzimin e deklaratave vjetore të vetëvlerësimit për miliona persona – përfshin figura nga muzika dhe arti, financat e larta dhe tregtia, si edhe aristokratë miliarderë dhe sipërmarrës që janë ngritur nga hiçi.
Për herë të parë, themeluesit e kompanisë së basteve “Betfred”, Fred dhe Peter Done, kryesojnë renditjen me një kontribut të vlerësuar prej 400.1 milionë paundësh, nga 273.4 milionë një vit më parë. Vëllezërit e nisën kompaninë në vitin 1967 dhe ajo ka selinë në Warrington, Cheshire. Në rastin e tyre, hulumtimi përfshin edhe një përqindje të detyrimeve të basteve që Betfred ka paguar.
Dinastia tjetër e basteve, Denise, John dhe Peter Coates nga “Bet365”, renditet e pesta me 227.1 milionë paundë. Së fundmi u zbulua se Denise Coates kishte përfituar edhe 260 milionë paundë të tjera në paga dhe dividentë vitin e kaluar, duke e çuar totalin e përfitimeve të saj për 15 vjet në 2.7 miliardë paundë.
Harry Styles, turneu botëror i të cilit përfshin një rezidencë rekord prej 12 netësh në stadiumin “Wembley”, është hyrje e re në vendin e 54-t me 24.7 milionë paundë taksa të paguara vitin e kaluar.
Për herë të parë në listë shfaqen edhe dy futbollistë: sulmuesi i Manchester Cityt, Erling Haaland (vendi i 72-të), i cili fiton 500,000 paundë në javë plus 10 milionë në shtesa, me një pagesë të vlerësuar taksash prej 16.9 milionë paundësh.
Ylli i Liverpoolit, Mohamed Salah (vendi i 81-të), me një pagë bazë prej 400,000 paundësh në javë plus rreth 10 milionë në bonuse dhe pagesa shtesë, ka një faturë të vlerësuar taksash prej 14.5 milionë paundësh.
Emra të tjerë të njohur në listë përfshijnë JK Rowling – në vendin e 36-të me 47.5 milionë paundë kontribut, Ed Sheeran (vendi i 64-t dhe 19.9 milionë paundë), si dhe kampionin e peshave të rënda në boks, Anthony Joshua (vendi i 100-t dhe 11 milionë paundë).
100 individët ose familjet e pasura në Listën e Taksave të Sunday Times për këtë vit kanë paguar gjithsej rreth 5.758 miliardë paundë taksa, nga 4.985 miliardë paundë një vit më parë.
Robert Watts, i cili ka përpiluar Listën e Taksave të Sunday Times, tha: “Kjo është një listë gjithnjë e më e larmishme, me futbollistë të Premier League dhe yje botërorë të muzikës krah aristokratëve dhe pronarëve të bizneseve. Këtë vit ka pasur një rritje të madhe të shumës së taksave që kemi identifikuar – kryesisht për shkak të normave më të larta të tatimit mbi fitimin e korporatave. Të gjithë 100 individët dhe familjet në listë kanë kontribuar me të paktën 11 milionë paundë për arkën e shtetit gjatë vitit të kaluar”./GazetaExpress/