Sipas raportimeve të fundit, sulmuesi suedez Viktor Gyökeres ka refuzuar një transferim te Manchester United, pavarësisht interesimit serioz nga klubi anglez dhe trajneri Ruben Amorim, i cili kishte dëshirë të ribashkohej me 27-vjeçarin.
Gyökeres pritet të largohet nga Sporting këtë verë, me Arsenalin që mbetet destinacioni më i mundshëm. “Record” raporton se Manchester United ka pasur kontakte me lojtarin dhe klubin portugez gjatë javës, por oferta e “Djajve të Kuq” nuk e ka bindur sulmuesin.
Nga ana tjetër, Arsenali thuhet se ka bërë një ofertë prej 55 milionë paund, e cila është refuzuar nga Sporting. Kjo ka shkaktuar zemërim tek Gyökeres, i cili mendohet se kishte një marrëveshje “gentlemane” me klubin për t’u lënë të largohej për atë shumë.
Topçinjtë tani pritet të përgatisin një ofertë të dytë, por çdo lëvizje do të varet nga marrëveshjet mes agjentit të lojtarit dhe drejtuesve të Sportingut. Nëse nuk arrihet një kompromis, Sporting do të kërkojë klauzolën e plotë të largimit prej 84 milionë paundësh.
Presidenti i klubit portugez, Frederico Varandas, deklaroi qartë se nuk do të pranojnë presion apo fyerje në negociata:
“Sporting nuk do të pranojë shantazhe dhe fyerje – duhet të më njihni më mirë tashmë,” tha ai.
Për të qetësuar situatën, vetë Gyökeres reagoi ndaj zërave për përçarje me klubin:
“Ka shumë biseda për momentin, shumica janë të pavërteta. Do të flas kur të vijë koha e duhur,” u shpreh ai.
Ky refuzim është një tjetër goditje për Manchester United, që më herët humbi edhe shërbimet e Liam Delap ndaj Chelseat. Si alternativë, në radarin e klubit ka dalë emri i Victor Osimhen, por kërkesat e tij prej 500 mijë paund në javë, si dhe interesimi nga Arabia Saudite dhe Galatasaray, e bëjnë transferimin të komplikuar. Çdo lëvizje për Osimhen do të kërkojë më parë shitje nga United për të balancuar buxhetin.