Sulmuesi suedez Viktor Gyökeres pritet të kompletojë transferimin e tij nga Sporting te Arsenal brenda fundjavës.
Sipas BBC Sport, marrëveshja prej 63.5 milionë paundësh është në fazat finale, me vonesën e vetme që lidhet me negociatat për bonuset shtesë.
27-vjeçari ka marrë leje për të udhëtuar dhe për të kryer vizitat mjekësore. Ai pritet të nënshkruajë një kontratë pesëvjeçare dhe të prezantohet zyrtarisht si lojtar i Arsenal në ditët në vijim.
Skuadra e Artetës ndodhet aktualisht në Singapor për fazën përgatitore, dhe trajneri spanjoll konfirmoi se sapo transferimi të zyrtarizohet, Gyökeres do të bashkohet menjëherë me ekipin për të fituar kohë me grupin.
Gyökeres ishte një nga sulmuesit më të kërkuar këtë verë, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me 54 gola në 52 ndeshje për Sporting. Arsenal e ktheu vëmendjen tek ai pasi nuk arriti të gjejë marrëveshje për Benjamin Sesko.
Ky transferim pritet të forcojë ndjeshëm repartin ofensiv të “Topçinjve”, që sezonin e kaluar shënuan 17 gola më pak se Liverpooli. Javën e kaluar, Arteta shtoi edhe Noni Madueke nga Chelsea.
Gyökeres, që ka shkëlqyer më parë edhe me Coventry në Championship, ka regjistruar 15 gola në 26 ndeshje me përfaqësuesen e Suedisë.