GUXO i ka cilësuar si ‘’të pavërteta dhe tendencioze’’, raportimet për dorëheqjet e fundit që janë bërë nga kjo parti. GUXO në reagimin e saj, shkon edhe më tutje duke i cilësuar të njëjtat si ‘’spekulime’’, që të cilat, sipas kësaj partie, ‘’nuk reflektojnë realitetin’’.
Në reagim thuhet edhe se personat nga Peja që kanë dhënë dorëheqje nga kjo parti, kanë vepruar kësisoj edhe ‘’shtatë herë’’ deri më tani.
‘’ Po ashtu, publiku duhet ta dijë se nga pompa e titujve mediale se dega e Kryesia e degës në Deçan ka braktisur Partinë Guxo, ekziston vetëm një e vërtetë: dy anëtarë të kësaj dege janë tërhequr nga Guxo. Kjo është e gjitha dhe faktet jo vetëm se janë kokëforta, por ato mund të vërtetohen lehtë’’, thuhet mes tjerash në reagimin e GUXO’s, përcjell Express.
Ndryshe, një nga figurat që ka dhënë dorëheqje nga GUXO, është deputeti Haxhi Avdyli. Përveç tij, pakënaqësi ndaj udhëheqjes së kësaj partie, ka shfaqur edhe nënkryetari i kësaj partie, Burim Meta.
Reagimi i plotë i GUXO:
Komunikatë për publikun
Partia GUXO informon qytetarët e vendit se pretendimet për gjoja dorëheqje në masë nga strukturat tona në Deçan dhe Pejë, janë të paverteta dhe tendencioze. Këto spekulime nuk reflektojnë realitetin dhe synim të vetëm kanë të krijojnë një perceptim të rremë në opinionin publik.
Është me rëndësi që qytetarët tanë ta dijnë se tre individët nga Peja, të cilët po përmenden në këto pretendime, kanë paraqitur dorëheqje plot shtatë herë deri më tani dhe ka më shumë se një vjet e gjysmë që janë larguar nga çdo aktivitet i Partisë Guxo. Ky, i sotmi, është një fakt që flet më shumë për seriozitetin e tyre sesa për gjendjen reale në strukturat tona.
Po ashtu, publiku duhet ta dijë se nga pompa e titujve mediale se dega e Kryesia e degës në Deçan ka braktisur Partinë Guxo, ekziston vetëm një e vërtetë: dy anëtarë të kësaj dege janë tërhequr nga Guxo. Kjo është e gjitha dhe faktet jo vetëm se janë kokëforta, por ato mund të vërtetohen lehtë.
Gjatë ditëve në vijim do të dalim me njoftime më të hollësishme për të gjitha këto zhvillime dhe do ta demantojmë çdo dezinformatë që po qarkullon.
Të hënën, më 16 mars, Kryetarja e Partisë GUXO do t’i shpalosë para opinionit publik qëndrimet tona të plota lidhur me këto zhvillime dhe me përpjekjet për të deformuar realitetin politik.