Pas fitores së Manchester Cityt në Botërorin e Klubeve kundër Wydad Casablanca, Pep Guardiola e ka analizuar paraqitjen e të tijëve, duke i nënvizuar vështirësitë e ambientimit.
“Bënte mjaft vapë dhe i kishim në fushë disa lojtarë të rinj. Ndeshja e parë është gjithmonë e rëndësishme: e filluam mirë, ndërsa më pas i humbëm disa topa më shumë se që duhej”, shpjegoi fillimisht trajneri katalunas.
Prej protagonistëve të përmendur nga Guardiola është edhe Rodri, i cili u rikthye në fushë nga lëndimi, shkruan “Gazeta Express”.
“I luajti 30 minuta dhe duhet të vazhdojë hap pas hapi. Ai dëshiron të luajë më shumë, por ky është vetëm hapi i parë. Mendja dëshiron që kjo të ndodh menjëherë, por trupi ka nevojë për kohën e tij për t’u rikthyer në më të mirën, është një proces mjaft i rëndësishëm”, shtoi ish-trajneri i Barcelonës dhe i Bayern Munichut.
Trajneri i “Citizens” foli edhe për Kevin De Bruynen, i cili u largua javë më parë nga “Etihad Stadium” pas eksperiencës së jashtëzakonshme disavjeçare që e pati me “Qytetarët”.
“Kevin De Bruyne është i pazëvendësueshëm, këtë e dimë të gjithë, por Ryan (Cherki) i ka kualitetet e jashtëzakonshme afër zonës, një vizion të lojës të pastër dhe shumë aftësi të tjera”, vazhdoi Guardiola.
Ai e lavdëroi edhe ambientin në tribunat e stadiumeve amerikane.
“E kujtoj turneun tonë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës: kishte pak njerëz. Tash megjithatë ka shumë fanella të kaltra, gjithnjë më shumë. Është e bukur ta shohësh këtë”, përfundoi trajneri i suksesshëm i futbollit. /Gazeta Express